Një konflikt i nisur me thikë rrezikoi të kthehej në një tragjedi më të madhe në Shkodër. Vetëm ndërhyrja e shpejtë e Policisë duket se ka parandaluar një vrasje të dytë.
Ngjarja nisi rreth orës 11:30 në ambientet e poliklinikës së lagjes “Vasil Shanto”, ku gjatë një konflikti për motive ende të paqarta, 18-vjeçari A. F. dyshohet se plagosi me thikë 32-vjeçarin Vildan Kepeca I plagosuri përfundoi në spital, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autori i dyshuar u largua nga vendi i ngjarjes.
Por situata mori një tjetër kthesë kur vëllai i të plagosurit, 41-vjeçari Arben Kepeca, mësoi për ngjarjen. Sipas Policisë, ai mori një pistoletë me fishek në fole dhe doli në kërkim të autorit të dyshuar, me qëllimin për ta vrarë.

Një konflikt që mund të mbyllej me një të plagosur, rrezikoi të prodhonte një viktimë tjetër. Policia, e informuar gjatë lëvizjes drejt vendit të ngjarjes, ndërhyri para se arma të përdorej.
Gjatë përballjes me efektivët, 41-vjeçari tentoi të largohej dhe hodhi armën, por u neutralizua dhe u arrestua në flagrancë. Pistoleta dhe municioni luftarak u sekuestruan si prova materiale.
Ngjarja nxjerr edhe një herë në pah rrezikun e hakmarrjes së menjëhershme dhe pranisë së armëve në konfliktet mes qytetarëve. Një plagosje e rëndë mund të ishte shndërruar në një zinxhir dhune, nëse reagimi i Policisë nuk do të kishte qenë në kohë.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë kërkimet për kapjen e 18-vjeçarit A. F., ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së konfliktit.
©ZëriOnline


