Anuela Ristani ka vendosur të largohet nga Bashkia e Tiranës, pas vendimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili i hoqi kompetencat e kryetarit.
Ristani, si duket, ka vendosur të mos mbajë as postin e nënkryetares, duke njoftuar se largohet nga ky institucion pas 11 vitesh.
“Pas më shumë se një dekade në shërbim të qytetit më të bukur në botë, largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën. Atë që të gjithë e lakmojnë, shumë e duan, por pak e kuptojnë. Qyteti për të cilin fillova të punoj 11 vite më parë, kur kaloja distancën e shkurtër, por të gjatë të sheshit ‘Skënderbej’, që vetëm shesh nuk mund të quhej, është sot pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, që nuk dinë t’i vënë tamam një emër joshjes që ndjejnë, pasi pika më e fortë e Tiranës është ndjesia e mirë që të jep.
Jam pa masë mirënjohëse për të gjithë bashkëudhëtarët e kësaj përvoje të papërsëritshme dhe për qytetarët që thyen paragjykime shekullore dhe stereotipe brezash për t’u shfaqur të bukur dhe krenarë në të gjithë botën”, shkruan ajo.
Veliaj e hoqi me argumentin se ajo nuk po e bënte si duhet detyrën dhe nuk po zbatonte kërkesat e tij. Dhe në fakt, Tirana kohët e fundit kishte nisur të merrte tatëpjetën. Problemi më i madh janë mbetjet. Koshat janë të stërmbushur ngado dhe duhet një frymë e re në krye të bashkisë. Mirëpo, Ristani në statusin e saj është kujdesur të dërgojë edhe mesazhe.
“Koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm. Në respekt të kohës, asaj që do të vijë, lipset që qytetin ta shohim pak më tonin e ta duam për atë që jemi, jo për atë që mund të na bëjë. Dhe sa për mua, unë do të mbetem gjithmonë ‘xhomllikse’, edhe pse kam lindur në Tiranë të Re dhe jam rritur përtej oqeanit. Largohem sot me mbështetjen dhe dashurinë e atyre që për mua kanë më shumë rëndësi”, vijon ajo.
Më 28 gusht, me argumentin se nuk ka zbatuar urdhrat e tij, kryebashkiaku Erion Veliaj, nga qelia, mori vendimin për t’i tërhequr Anuela Ristanit delegimin e kompetencave për drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Në urdhër, Veliaj argumentonte se, veçanërisht pasi Kushtetuesja konfirmoi vijimësinë e mandatit të tij në krye të Bashkisë së Tiranës, është vënë re një shkëputje e Ristanit nga autoriteti i tij.
Veliaj thekson se Ristani, në mënyrë të vazhdueshme, ka refuzuar urdhrat e tij, ndërsa ka munguar edhe informimi dhe koordinimi institucional. Sipas kryebashkiakut, veprimet e saj kanë cenuar zinxhirin normal të përgjegjësisë dhe drejtimit të Bashkisë së Tiranës.
©ZëriOnline


