Dy të prangosur për vdekjen e një 50-vjeçari të hënën në Durrës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit Leonard Haxhiu, 47 vjeç, banues në Durrës, dhe Gentian Allkaj, 52 vjeç, banues në Tiranë, përgjegjës për sigurinë në një firmë përpunimi alumini. Arrestimi u krye në kuadër të hetimeve për një ngjarje tragjike që përfundoi me vdekjen e një punonjësi 50-vjeçar.
Sipas hetimeve paraprake, viktima ishte në pushimin e drekës kur një punonjës tjetër e ka pyetur nëse makineria ishte e nxehtë ende apo ishte ftohur. Ai ka zgjatur dorën dhe makineria e ka tërhequr pas vetes duke i shkaktuar dëmtime të rënda që i morën jetën. Viktima kishte rreth një vit e gjysëm që ishte punësuar në këtë kompani të përpunimit të duraluminit që numëron rreth 350 punonjës. Paraprakisht deklarohet se ai ishte punësuar konform rregullave dhe ishte i siguruar, por incidenti ka ngritur shqetësime mbi masat e sigurisë në vendin e punës.
Të arrestuarit akuzohen për shkeljen e rregullave të mbrojtjes në punë, vepër penale që po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, pasi ky është aksidenti i tretë i rëndë në punë që regjistrohet brenda një jave në vend.
Kjo ngjarje ka rikthyer në vëmendje nevojën për zbatimin rigoroz të masave të sigurisë dhe përgjegjësinë e punëdhënësve për të siguruar kushte të përshtatshme pune për të gjithë punonjësit.
©️zërionline


