Nga arrestimi te largimi: Ilir Habibi flet për dramën familjare dhe nevojën për t’u larguar përfundimisht

Date:

Share post:

Nën një shi të imët që e lag deri në palcë bashkë me barrën e ditëve të fundit, e takojmë Ilir Habibin dhjetra kilometra larg vendbanimit të vet. I frikësuar nuk pranon të na presë në dhomën 3 m2 × 3 m2 ku është strehuar vetë i pesti. Ka lënë punën, ai dhe gruaja. Vajza e madhe që është në klasën e dytë ka lënë shkollën. Dy fëmijët e tjerë kopshtin. Në një çast jeta e tyre u përmbys. E takojmë në një ditë të lagët e të ftohtë, ndërsa shpreson se autoritetet, policia, do të mund të ndërmjetësojnë dhe ta sigurojnë jetën e tij dhe tê familjes. Në të kundërt…

Pas arrestimit të Majlind Habibit për vrasjen e Branko Sahkozës në Spitallë të Durrësit, situata në familje ka marrë përmasa dramatike. Shtëpia e Habibëve është mbyllur. Iliri, vëllai i të dyshuarit, është larguar nga Durrësi së bashku me familjen e tij. Por pas kthesës së papritur në gjykatë, ku Majlind Habibi deklaroi se është i pafajshëm dhe se pranoi krimin nën presionin e policisë, Iliri ka vendosur të flasë sërish, duke hedhur dritë mbi marrëdhënien e tij me të vëllain dhe vendimet që kanë përçarë familjen.  

Ilir Habibi baba i 3 fëmijëve thotë se marrëdhënia me Majlindin ka qenë komplekse. Ai e përshkruan vëllain e tij si një njeri impulsiv që shpesh pinte pas pune dhe bënte “karagjozin”, por njëkohësisht të ndikuar lehtë nga rrethanat.

Kthesa e papritur në gjykatë  

Deklarata e Majlind Habibit në seancën gjyqësore, ku mohoi të ketë kryer krimin dhe pretendoi se kishte pranuar fajin nën presionin e policisë, ka tronditur familjen. Iliri pranon se kjo kthesë i ka bërë të rivlerësojnë situatën, por gjithashtu ka shtuar dyshimet dhe tensionet. “Kur dëgjova se Majlindi tha se policia e kishte detyruar të pranonte fajin, u ndjeva i tradhtuar, jo vetëm prej tij, por edhe prej sistemit që duhet të sigurojë drejtësi. Nuk ka burrni kur shkon në polici,” thekson ai.  

Largimi dhe pasojat e një krimi ende të pafaktuar

Largimi nga qyteti, sipas Ilirit, ishte një masë mbrojtëse për të shmangur presionin shoqëror dhe ndikimin e mediave. 

“Ishte e pamundur të qëndronim në Durrës pas gjithë kësaj që ndodhi. Familja jonë është gjykuar pa prova. Asnjë nga ne nuk është fajtor, as ishte në dijeni,” rrëfen ai.  

Iliri gjithashtu flet për ndarjen që ka shkaktuar ngjarja në familje. “Kemi pasur debate mes nesh. Mamaja donte të shkonte në gjyq, por unë nuk e lashë. Nuk është kollaj të gjykosh e menaxhosh këtë situatë,” shton ai.  

Drejtësia në pikëpyetje

Për Ilirin, kthesa në gjykatë ka ngritur pikëpyetje serioze mbi hetimet dhe trajtimin e çështjes nga policia dhe organet e drejtësisë.

“Nëse Majlindi është vërtet i pafajshëm dhe e ka pranuar ngjarjen nën presion, atëherë sistemi ka dështuar dhe familja jonë u shkatërrua kot. Nëse ai është fajtor dhe po përpiqet të shmangë përgjegjësinë, atëherë drejtësia duhet të veprojë,” përfundon Iliri.  

Kjo ngjarje vazhdon të mbetet një enigmë, ndërsa familja Habibi përballet me pasojat e një situate që ka ndryshuar krejtësisht jetën e tyre përgjithmonë. Rasti ngre pyetje edhe për ndikimin e tij në strukturën dhe qëndrueshmërinë e familjeve të përfshira. Iliri dhe familja e tij po mendojnë të largohen nga vendi për t’i shpëtuar një hakmarrjeje që nuk e meritojnë.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Plagosje me armë zjarri në Durrës

Një person rreth 50 vjeç është plagosur me armë zjarri në zonën e Vollgës, në Durrës. Ngjarja ka ndodhur...

Çmimi i lartë i naftës, qeveria rikthen Bordin e Transparencës dhe uljen 20% të akcizës

Më 19 qershor, pas 3 muajve në fuqi, qeveria shpërndau bordin e Transparencës. Sot, pas 3 muajsh, kur...

Parkimi në Durrës, ndryshojnë rregullat: 93 hapësira falas për rezidentët dhe përcaktohen rrugët sipas lagjeve

Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi sot me shumicë votash ndryshimet në skemën e parkimit me pagesë. Për qytetarët...

Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, BE apel Kosovës dhe rajonit: Tregoni përmbajtje, drejtësia të vijojë pa ndërhyrje

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve në Kosovë dhe në rajon që të...