Një aksident tragjik u shënua në lagjen nr. 15, Durrës, ku një 39-vjeçar, Pëllumb Pjetri, humbi jetën pasi u përplas nga një kamion. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:30, më datë 24 dhjetor 2024. Pas aksidentit, drejtuesi i kamionit u largua nga vendi i ngjarjes, duke mos ofruar ndihmë për viktimën.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës nisën menjëherë hetimet, duke përdorur kamerat e sigurisë për të identifikuar dhe lokalizuar autorin e dyshuar. Pas disa orësh kërkimesh intensive, ata arrestuan në flagrancë 64-vjeçarin Milot Çuni, banues në Durrës.
Sipas hetimeve, M. Çuni, duke drejtuar kamionin, shkaktoi përplasjen fatale të 39-vjeçarit, gjithashtu banues në lagjen nr. 15, dhe më pas u largua bashkë me automjetin. Policia arriti gjithashtu të bllokojë kamionin si provë materiale.
Ndaj 64-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit.” Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
©️zërionline


