Kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian vijojnë të mbeten një problem shqetësues, duke dëshmuar për një valë të vazhdueshme emigrimi që prek mijëra qytetarë çdo vit. E pamundura për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme në Shqipëri, sipas organizatës Qëndresa Qytetare, i shtyn ata të kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit, duke e bërë azilin një nga alternativat kryesore të largimit.
Të dhënat e publikuara nga EUROSTAT tregojnë se nga viti 2020 deri në vitin 2024, plot 40.070 shtetas shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet e BE-së. Destinacionet kryesore për azilkërkuesit shqiptarë mbeten Franca, Italia, Gjermania dhe Greqia. Megjithëse numrat nuk janë aq të lartë sa periudha 2015-2020 – kur shqiptarët renditeshin të dytët pas sirianëve – fenomeni i azilkërkimit mbetet ende një trend shqetësues.
Një nga aspektet më dramatike të kësaj dukurie është “braktisja” e fëmijëve të mitur në vendet e BE-së, me shpresën se kjo do të ndihmojë në marrjen e azilit. Ky realitet shoqërohet me heshtjen e institucioneve shtetërore shqiptare, të cilat duket se nuk po marrin masa konkrete për ta luftuar këtë fenomen.
Shkaqet kryesore të këtij fenomeni përfshijnë varfërinë e thellë, pagat e ulëta, mungesën e një sistemi shëndetësor dinjitoz dhe një arsimi cilësor. Harta e azilkërkuesve përfshin qytetarë nga mbarë vendi, por dominojnë ata nga zonat verilindore, juglindore dhe periferitë e qyteteve të mëdha.
Përballë këtyre shifrave dhe dramave njerëzore, neglizhenca e autoriteteve qeveritare për të ndërhyrë dhe për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme mbetet një pikëpyetje e madhe për të ardhmen e mijëra shqiptarëve që shohin emigrimin si të vetmen rrugëdalje.
©️zërionline


