Situata e përmbytjeve në Durrës po shkon drejt përmirësimit, me tërheqjen e ujit nga shumica e zonave të prekura. Megjithatë, dëmet materiale janë të konsiderueshme. 14 persona, pjesëtarë të tre familjeve e kanë kaluar natën e kaluar në Shtëpinë e Pushimit të MB-së.
Ndërkohë ekipet e emergjencave, ushtria, AKMC, zjarrfikësit dhe punonjësit e bashkisë janë angazhuar intensivisht në pastrimin dhe largimin e ujit nga banesat. Ndërkohë, grupet e ngritura po kryejnë verifikimin e dëmeve në objektet e prekura. Deri më tani, sipas Bashkisë, është përfunduar vlerësimi në 100 banesa dhe procesi po vijon për të tjerat.
Ndër zonat më problematike mbeten Durrësi i Ri, Shkozeti dhe Plazhi, ku ende ka prezencë uji në banesa.
Për të ndihmuar familjet e dëmtuara, Drejtoria e Rezervave Materiale të Shtetit ka nisur shpërndarjen e ndihmave ushqimore. Autoritetet premtojnë dëmshpërblim për të gjithë qytetarët e prekur, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë të jenë në terren për të garantuar një kthim sa më të shpejtë në normalitet po nevojat mbeten të mëdha.
©️zërionline


