Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, shumë shtetas nga Kosova kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për të kaluar këtë fundjavë të gjatë. Vija bregdetare ka mirëpritur turistët kosovarë, të cilët e shfrytëzojnë këtë periudhë për pushim dhe festime pranë detit.


Edhe pse jemi në muajin shkurt, temperaturat e buta dhe mikpritja e zakonshme shqiptare kanë bërë që shumë familje dhe grupe të rinjsh nga Kosova të vizitojnë Durrësin dhe pjesën më në jug të bregdetit shqiptar. Shumë prej tyre kanë kaluar dhe natën e Shën Valentinit buzë Adriatikut, duke përfituar nga ofertat e akomodimit në hotelet dhe resortet që janë të hapura edhe jashtë sezonit veror.

Përveç relaksit në bregdet, vizitorët kanë pasur mundësi të eksplorojnë edhe atraksione të tjera kulturore dhe historike. Restorantet dhe lokalet kanë mirëpritur mysafirët nga Kosova me një atmosferë festive, duke ofruar gatime tradicionale dhe muzikë tradicionale.
Për shumë kosovarë, Durrësi dhe Shqipëria mbetet destinacioni më i afërt dhe më i dashur për pushime, jo vetëm në verë, por edhe jashtë sezonit dhe në ditë të veçanta si kjo e Pavarësisë së Kosovës.
©️zërionline


