Nëse ka një pikturë që përmbledh shkëlqimin dhe kontradiktat e Parisit të Belle Époque, ajo është padyshim “Një Bar në Folies-Bergère” e Édouard Manet. Më shumë sesa një skenë e jetës mondane, ky është një portret i fshehtë i vetmisë, iluzioneve dhe realitetit të papërpunuar të një epoke që vezullon në sipërfaqe, por fsheh trishtim në thellësi.
Kjo ishte vepra e fundit e Manet, pikturuar në vitin 1882, vetëm një vit para vdekjes së tij. Ndërsa ai konsiderohet pararendës i impresionizmit, kjo tablo e fundit e tij nuk i nënshtrohet rregullave të asnjë shkolle: me penelata të lira, por një kompozim të ndërtuar me precizion kirurgjikal, Manet krijon një sfidë optike për shikuesin. Pasqyra pas banakieres Suzon nuk e pasqyron realitetin me saktësi: klienti përballë saj shfaqet i zhvendosur në të djathtë, këndi është i çuditshëm dhe gjithçka duket si një lojë perceptimi.
Kush është Suzon? Një grua e re, e bukur, por me një vështrim të lodhur dhe të largët, sikur është e pranishme, por e përjashtuar nga jeta që zhurmon përreth saj. Ajo përfaqëson gratë e shumta që punonin në baret dhe kabaretë e Parisit, shpesh pa të drejta, të nënshtruara nga një shoqëri që i shihte si shërbyese të një kënge e një nate. Shikimi i saj i zbrazët na flet për tjetërsimin dhe dorëzimin ndaj një realiteti të pashmangshëm.
Manet nuk e krijoi këtë skenë rastësisht: çdo detaj është i menduar. Portokallet e shndritshme mbi banak, pijet e vendosura si në një regji teatrale, këmbët e akrobatit në sfond, të gjitha na rikujtojnë se jemi ende në tempullin e Parisit që kërkon kënaqësi. Por, nën dritat vezulluese, piktori na lë të kuptojmë një të vërtetë të heshtur: Parisi është një skenë magjepsëse nga jashtë, por shpesh melankolik nga brenda.
Sot, kjo vepër e ruajtur në Galerinë Courtauld në Londër mbetet një nga më të diskutuarat në histori të artit. Ajo nuk është thjesht një tablo e një bari në Paris. Është një reflektim mbi vetminë, mashtrimin dhe realitetin, të mbështjella në petkun më vezullues. Manet, më shumë se piktor, mbeti një tregimtar i madh i jetës moderne.
©️zërionline


