Këtë javë do të nisë dezinfektimi i shkollave të Durrësit, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virozave dhe rritjen e sigurisë shëndetësore të nxënësve. Situata kritike e krijuar në shkolla nga numri i lartë i mungesave i ka vënë në lëvizje më në fund autoritetet. Lajmi u konfirmua nga Zyra Vendore Arsimore që po përgatit grafikun e dezinfektimit, dhe pas finalizimit të tij, Ndërmarrja Komunale e Bashkisë do të nisë punën. Gjithsesi procesi ka filluar që të premten me pak shkolla, dhe do të vijojë në fillim të javës me godinat e tjera arsimore.

Më herët, pavarësisht përhapjes së virozave dhe rastit të meningitit akut, i cili ka shkaktuar shqetësim të madh mes prindërve, shkollat nuk ishin dezinfektuar, ndryshe nga kopshtet dhe çerdhet. Si pasojë, numri i mungesave në institucionet parauniversitare u rrit ndjeshëm, veçanërisht në shkollat “Kushtrimi i Lirisë” dhe “Eftali Koçi”, që ndajnë të njëjtën godinë. Në disa klasa, mungesat arritën deri në 80% pas konfirmimit të rastit me meningit akut.


Megjithatë, mësimi vijoi edhe në klasa me vetëm një nxënës, vendim që ka shkaktuar reagime nga prindërit dhe mësuesit. Drejtoresha e Qendrës Ekonomike të Arsimit në Durrës, Lindita Muhedini, ka sqaruar se dezinfektimi deri tani ishte kryer vetëm në çerdhet dhe kopshtet me fjetje, për shkak të mungesave të shumta. Ndërsa për shkollat, deri të enjten nuk kishte pasur një kërkesë zyrtare nga autoritetet arsimore.

Mungesa e një koordinimi mes institucioneve arsimore dhe autoriteteve shëndetësore nga ana e këtyre të fundit krijoi një shqetësim për prindërit, të cilët kërkonin marrjen e masave të duhura për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve në shkolla.
©️zërionline


