“Doja ta qetësoja. Nuk dija kë shihte. Kush po e sulmonte. Ai më thoshte ashtu dhe unë duhej ta bëja se policia po na dëgjonte. I pashë kur erdhën.” Kështu tregon për Zëri Online, i mituri që përjetoi natën e tmerrit së bashku me vëllain e vogël 6 vjeç. U bë negociatori i parë për të neutralizuar shpërthimin agresiv të babait me kallash në dorë.
“U pa në pasqyrë dhe se çfarë pa aty dhe qëlloi. Pastaj rrinte këtu mbështetur pas murit te dera e ballkonit. Vëllai rrinte nga ana tjetër. Babi qëllonte. Xhamat thyheshin. I sheh? Unë rrija aty te dera dhe s’flisja. Kisha frikë për vëllain që ishte në ballkon.”, tregon djali i vogël i Aleks Markut, 40-vjeçarit që terrorizoi fëmijët e vet në përballjen me personat imagjinarë që i kishin hyrë në shtëpi dhe donin ta hiqnin qafe.
Në apartamentin 103 të hotel E. në zonën e Shkëmbit të Kavajës ka rënë qetësia, por pasojat e gjithçkaje ndodhi pas mesnatës janë aty. Dëmet dhe gjurmët e plumbave të shtëna me kallashnikov nga babai i dy fëmijëve janë ende aty, dëshmitarë të hidhur të gjithçkaje që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Dy djemtë e Aleks dhe Bardhe Markut nuk reshtin së treguari atë që ndodhi brenda atyre mureve me babain e tyre. Duken fëmijë të fortë, flasin plot energji në prani të mamasë dhe gjyshe Marës që i shohin në dritë të syrit e të frikësuara nga lumturia që ndjejnë për ta dhe që i shpëtuar rikoshetës së plumbave që vërshuan brenda apartamentit. Djemtë duket sikur asgjë që kaluan nuk e ka shenjuar qenien e tyre. E gjithë kjo në dukje, pasi orët e tmerrit janë brenda tyre. Nuk janë thjesht skena filmi të para në televizor. Djali i madh ka marrë rolin e negociatorit të parë për të qetësuar babain. Ka hyrë në rol, ia ka pranuar armikun imagjinar që po e sulmon dhe i lutet ta falë. Pasi gjithçka ka kaluar, prania e nënës dhe e gjyshes u jep siguri. I madhi nxiton të të ofrojë dhe një gotë çaj të ftohtë që e merr tek marketi aty pranë.
E dinin se mamaja e tyre ndodhej në Itali për të siguruar disa dokumente që ua kërkonin në shkollë, si dhe për t’u takuar me avokaten e familjes atje.
Një jetë e re i priste në Durrës, buzë detit. Një jetë në arrati për t’i shpëtuar kapjes nga autoritetet italiane pas thyerjes së masës së sigurisë atje nga ana e Aleks Markut. Ndaj 32-vjeçarja Bardhe Marku, në marrëveshje me të shoqin, siç thekson ajo, ishte nisur drejt Italisë të shtunën, por zemra ia ndiente se gjërat nuk po shkonin mirë. E alarmuar nga komunikimi i keq me të shoqin, që nuk i nxirrte në telefon prej dy ditësh fëmijët, Bardhe Marku ishte kthyer në orët e para të ditës së sotme nga Italia në Shqipëri përmes Rinasit. Në orën 02:00 të natës, pikërisht atëherë kur fëmijët po përjetonin orët e makthit duke e parë babain në një gjendje të përçudnuar. Si kurrë më parë, me armë në dorë dhe banesa e vogël u kthye në shesh beteje me djajtë që babai nuk dinte ku i shihte por që e mundonin. Në tryezë ndodhej dhe një kartmonedhë e bërë tub me të cilën babai duket se kishte tërhequr një vizë të fortë droge.
Për të shmangur sherrin me të shoqin në atë orë të vonë të natës Bardhe Marku ka shkuar drejt e në Lezhë te prindërit e saj, ndërsa disa orë më pas është vënë në dijeni për situatën e rëndë që kanë kaluar djemtë e saj dhe është kthyer në Durrës, në shtëpinë ku ndodhi ngjarja e rëndë. Ka mundur të pastrojë bashkë me nënën e saj Mara xhamat e thyer e mbetjet e hedhura ngado dhe teksa shtrëngon në krah fëmijët shprehet e bindur se nuk i ka ngelur gjë tjetër veçse të kërkojë mbrojtje dhe divorc, ndërsa do të kthehet në Lezhë, atje ku jeton familja e saj.
“Nuk kam ç’të bëj më këtu. Kam frikë dhe pse është arrestuar. Dua urdhër mbrojtjeje shprehet ajo. Ngjarjet e shumta të dhunës e kanë tronditur kohë më parë ndaj kur Aleksi acarohej dhe e keqtrajtonte verbalisht nuk ka hezituar t’i drejtohet policisë për ndihmë. Për të parandaluar tragjedinë, po “kurrë nuk e kisha menduar që do sillej ashtu, nuk e di çfarë ka pirë. Ka pasur paranoja, po shyqyr që kam fëmijët mirë”.
Nuk do të qëndrojë më në Durrës dhe të paguajë qiranë, kur mund të ketë mbështetjen e familjarëve të saj në Lezhë. Edhe për njerëzit e burrit flet me bindje se do e mbështesin, ndërsa nuk do të mendohet më tej. Është e vendosur për t’I dhënë fund një marrëdhënieje abuzive që e mbante me frikën e një fundi të trishtë, si ai i dhjetra grave të vrara nga burrat a ish-partnerët, që sheh çdo ditë në media.
@zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


