Në plazhin e Durrësit, po bëhen të shpeshta skenat e pazakonta që tërheqin vëmendjen e pushuesve. Nën hijen e çadrave të diellit, të cilat janë të rezervuara për turistët, mund të shohësh një grup qensh të rrugës që shijojnë qetësinë dhe freskinë. Këto kafshë endacake kanë gjetur strehë të përkohshme në plazh, ku kërkojnë pak prehje nga dielli i nxehtë i këtij maji. Me zgjuarsi zgjedhin secili një çadër, duke respektuar dhe distancat mes tyre, ashtu si rrallëherë dhe njerëzit bëjnë.

Në një nga plazhet më të njohura të Shqipërisë, qentë e rrugës kanë filluar të bëhen pjesë e përditshmërisë së plazhistëve. Disa i shikojnë me simpati dhe përkujdesje, duke u ofruar ujë dhe ushqim, ndërsa të tjerët janë më skeptikë, të shqetësuar për higjienën dhe sigurinë e tyre, veçanërisht fëmijëve.
“Është e mahnitshme të shohësh se si këta qenie të pafajshme kanë gjetur vetë vendin për të pushuar” thotë Ana, një pushuese nga Tirana.
“Më pëlqen të kujdesem për ta dhe shpeshherë u jap pak ushqim nga çanta time.”
Por, jo të gjithë e shohin këtë fenomen me të njëjtin sy. Disa pushues dhe pronarë lokalesh në plazh shprehin shqetësimin se prania e qenve mund të sjellë probleme sanitare dhe frikë mes pushuesve. Madje dhe të krijojë situata të rrezikshme, sidomos për fëmijët e vegjël që luajnë në rërë.
“Për ne, si pronarë lokalesh, është sfiduese të menaxhojmë këtë situatë,” thotë pronari i një kafeneje në sektorin “Hekurudha” të plazhit të madh. “Duam që klientët tanë të ndihen të sigurtë dhe komodë, por gjithashtu ndjejmë përgjegjësi dhe për mirëqenien e këtyre kafshëve.”
Autoritetet lokale duhet të marrin masa për të trajtuar këtë çështje, duke organizuar fushata për sterilizimin dhe vaksinimin e qenve të rrugës. Qëllimi është të reduktohet popullimi i rrugëve prej tyre dhe të sigurohet që ata të jenë të shëndetshëm dhe të sigurt për komunitetin, për të siguruar që plazhi të mbetet një vend i sigurtë dhe i pastër për pushuesit, ndërkohë që tregohet kujdes edhe për qentë e rrugës.
Në mes të këtij dualiteti, qentë vazhdojnë të shijojnë qetësisht hijen e çadrave të kashtës, duke sjellë një dimension tjetër të realitetit të përditshëm në plazhet e Durrësit. Ata janë bërë simbol i një bashkëjetese herë të rrezikuar e herë të paqtë dhe një kujtim i asaj se çdo krijesë, pavarësisht se ku jeton, kërkon pak freski dhe qetësi në ditët e nxehta.
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


