Në Elbasan, ku historia e zgjedhjeve shpesh ka qenë e shoqëruar me tensione e ndonjëherë edhe me incidente, këtë herë skenari duket ndryshe. Qyteti është futur nën një regjim të plotë sigurie, ndërsa Policia e Qarkut ka marrë në ruajtje, ashtu si në të gjithë vendin,
çdo qendër votimi, plot 508 të tilla, dhe 10 KZAZ-të që administrojnë procesin.
Që në orët e para të mëngjesit, uniformat blu janë vendosur para çdo objekti zgjedhor, në një operacion që për nga organizimi dhe përmasat i ngjan një manovre ushtarake. Sipas zyrtarëve të Policisë, ky është një nga planet më të detajuara të masave të sigurisë që është zbatuar ndonjëherë në këtë qark për një proces zgjedhor.
Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë funksionon pa ndërprerje një grup drejtimi dhe monitorimi që ndjek situatën në kohë reale, përpunon informacionet që vijnë nga terreni dhe mban komunikim të drejtpërdrejtë me median dhe qytetarët. Objektivi është i qartë: çdo lëvizje të kontrollohet, çdo dyshim të verifikohet dhe çdo tentativë për prishjen e rendit të neutralizohet menjëherë.
Ajo që bie në sy është qetësia e pazakontë që mbizotëron, një qetësi që flet jo për indiferencë, por për kontroll. Rrugët pranë qendrave të votimit janë të pastra, banorët shprehen të qetë, ndërsa prania e policisë u jep një ndjesi sigurie të munguar në zgjedhjet e kaluara.
“Jemi të përgatitur për çdo skenar” – tha një efektiv policie, ndërsa kontrollonte perimetrin rreth një qendre votimi në afërsi të Librazhdit. “Por deri tani, gjithçka është nën kontroll. Dhe shpresojmë të mbetet kështu.”
Në një vend ku zgjedhjet kanë qenë gjithmonë një provë force, Elbasani këtë herë duket i vendosur të kalojë testin e demokracisë me maturi dhe profesionalizëm. Nëse gjithçka shkon siç duhet, ky operacion mund të shërbejë si model për të gjithë vendin.
©️zërionline


