Qeveria ka miratuar së fundmi Programin Kombëtar të Praktikave të Punës në administratën publike, duke hapur 600 vende të përkohshme pune për profesionistët e rinj. Në letër, nisma synon integrimin e të rinjve në shërbimin civil dhe zhvillimin e aftësive të tyre profesionale në institucionet shtetërore. Por, kjo nismë po ngre edhe pikëpyetje: A vjen kjo si një formë mbështetjeje a shpërblimi për të rinjtë e angazhuar në fushatën elektorale?
Programi, një përpjekje për zhvillim profesional…
Të rinjtë e moshës 21-29 vjeç, të diplomuar në ciklin e parë apo të dytë të studimeve dhe që nuk kanë punuar më parë në administratë, mund të aplikojnë për një praktikë 3-mujore me pagesë dhe më pas, nëse përzgjidhen, të nënshkruajnë një kontratë 1-vjeçare pune.
Gjatë praktikës, përfituesit marrin 500 lekë në ditë, si kompensim dhe ndjekin trajnime në Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA). Institucionet janë të detyruara të caktojnë mbikëqyrës dhe persona përgjegjës për ndihmën dhe vlerësimin e praktikantëve.
… apo një manovër për të shpërblyer besnikërinë politike?
Ndërsa në thelb, programi ofron një mundësi reale për shumë të rinj pa përvojë pune, kohëzgjatja e tij e kufizuar dhe përzgjedhja e mëvonshme e vetëm 250 praktikantëve për një pozicion të përkohshëm pune ngjall dyshime mbi efektivitetin dhe qëllimin afatgjatë të kësaj nisme.
Më tej, nuk mungojnë as zërat kritikë që e shohin këtë program si një mënyrë për të shpërblyer të rinjtë e angazhuar në fushatat e fundit elektorale, veçanërisht në një vit me ngjarrje politike dhe mobilizim partiak. Nëse përzgjedhja nuk bazohet në meritë dhe transparencë, programi rrezikon të kthehet në një instrument klientelist dhe jo në një investim real për të ardhmen e administratës publike.
Për të rinjtë që kërkojnë të nisin një rrugëtim profesional, programi përfaqëson një dritare të mundshme. Por në një klimë ku politika shpesh përdor institucionet për interesa të ngushta, suksesi i këtij programi do të varet nga mënyra si zbatohet në praktikë: me meritokraci apo me logjikë politike. Transparenca në përzgjedhje dhe matja reale e ndikimit të programit do të jenë prova e vërtetë e vlerës së tij.
©️zërionline


