Nga data 8 deri më 14 qershor, Shqipëria është mikpritëse e edicionit të parë të turneut ndërkombëtar të futbollit për të rinj “Kupa Shqiponja” (Eagle Cup), një aktivitet i ri me frymëzim italian, që ka për qëllim të promovojë sportin dhe të rinjtë përmes një platforme ndërkombëtare.
I organizuar sipas modelit të njohur të “Kupës së Viareggios” në Itali, turneu u çel në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit dhe do të sjellë bashkë ekipe U-19 nga Shqipëria, Kosova, Italia, Kameruni dhe Nigeria.


Në këtë aktivitet marrin pjesë gjithsej 12 ekipe, gjysma prej tyre janë përfaqësuese të huaja dhe gjysma ekipe shqiptare. Sipas organizatores Vasenka Leka, përzgjedhja është bërë me kujdes nga stafi teknik për të garantuar një garë të barabartë dhe cilësore, ku ekipet shqiptare të kenë mundësinë të prezantojnë talentet e tyre në një skenë ndërkombëtare.
Ajo thekson gjithashtu se në organizimin e këtij eventi janë angazhuar emra të mëdhenj të futbollit evropian si Alberto Bigon, Fulvio Collovati dhe Enzo Gambaro, ky i fundit në rolin e drejtorit teknik të turneut.
Për ish-futbollistin italian Alberto Bigon, i njohur për karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme, ky turne është më shumë se një kompeticion:
“Një nga qëllimet kryesore është zbulimi i talenteve, por edhe forcimi i marrëdhënieve vëllazërore ndërmjet popujve, veçanërisht në një periudhë sfiduese si kjo. Futbolli mbetet një lojë argëtuese. Unë kam luajtur deri në moshën 38-vjeçare dhe jam kënaqur shumë. Mendoni sa përjetime të bukura kanë përpara këta të rinj.”

Turneu “Eagle Cup” mbështetet edhe nga Ambasada Italiane në Tiranë. Konsulli Giacomo Montemarani e cilëson këtë event si një shembull të diplomacisë sportive, duke theksuar se ky aktivitet është një mundësi për të thelluar marrëdhëniet mes dy vendeve:
“Është bukur të shohësh kaq shumë të rinj që përfaqësojnë më të mirët e së ardhmes. Turneu i Viareggios është një ekselencë italiane dhe ta sjellësh këtu në Shqipëri është një akt domethënës. Dashuria për futbollin i bashkon dy popuj që kanë një pasion të përbashkët për këtë sport.”

Edhe pse organizimi i edicionit të parë është bërë në kohë të shkurtër, drejtori teknik Enzo Gambaro thekson përkushtimin maksimal të të gjithë stafit për realizimin me sukses të kësaj premiere. Ai është i bindur se në edicionet e ardhshme turneu do të zgjerohet dhe do të përmirësohet më tej.
Në përfaqësimin shqiptar bëjnë pjesë ekipet U-19 të Teutës, Vllaznisë, Apolonisë, Partizanit, Dinamo City dhe Vorës, ndërsa Kosova merr pjesë me ekipin “2 Korriku”.
Turneu “Eagle Cup” nuk ka vetëm natyrë sportive. Ai vjen si një iniciativë me ndikim social e kulturor, duke promovuar fair-play, bashkëjetesën ndërkulturore, luftën kundër racizmit dhe vlerat edukative të sportit.
Zgjedhja e Shqipërisë si vendi pritës për këtë edicion të parë nuk është e rastësishme. Ajo vjen pas një serie ngjarjesh të rëndësishme në fushën e sportit.
Përveç aspektit sportiv, “Eagle Cup” pritet të sjellë një ndikim pozitiv edhe në turizëm dhe ekonomi, duke tërhequr në Shqipëri ekipe, tifozë, media dhe sponsorë ndërkombëtarë. Ky event kthehet kështu në një dritare të re për promovimin e vendit si një destinacion mikpritës për ngjarje të mëdha ndërkombëtare.
©️zërionline


