Zverneci është një nga ato vende që të rrëmben me qetësinë, bukurinë natyrore dhe historinë e tij. I vendosur pranë qytetit të Vlorës, në kufi mes gjirit detar dhe lagunës së Nartës, ky fshat turistik të fton me peizazhin e tij magjepsës, kishën bizantine të Shën Mërisë dhe urën karakteristike prej druri që të çon në ishullin e vogël në mes të lagunës.
Gjatë verës, numri i pushuesve vendas dhe të huaj është rritur ndjeshëm. Të apasionuar pas natyrës, qetësisë dhe panoramës së veçantë, vizitorët zgjedhin Zvernecin për t’u larguar nga kaosi urban dhe për të kaluar një ditë të qetë në natyrë. Një pjesë e tyre vijnë vetëm për të eksploruar kishën e famshme, të tjerë për të bërë piknik pranë ujit apo për të përjetuar magjinë e perëndimit të diellit në horizontin e lagunës.



Për të përballuar fluksin në rritje, është shtuar një zonë parkimi, që ndihmon ndjeshëm në organizimin e trafikut dhe akomodimin e mjeteve të vizitorëve. Kjo është një nga ndërhyrjet pozitive të këtij sezoni, që tregon përkushtim ndaj nevojave të vizitorëve dhe zhvillimit të turizmit.
Megjithatë, ndryshe nga peizazhi që të lë pa frymë, një tjetër pamje të bie në sy sapo largohesh pak nga qendra turistike, mbeturina të shpërndara ngado. Plehrat e lëna pas nga vizitorët, qese plastike, shishe apo mbetje ushqimore, po shndërrohen në plagë të përvitshme për këtë zonë me potencial të lartë turistik.

Mungesa e koshave të mbeturinave e bën situatën edhe më të ndjeshme.
Shtoji kësaj edhe erën e rëndë të jashtëqitjeve, në mungesë të një tualeti publik.
Në mungesë të zgjidhjeve infrastrukturore dhe sensibilizimit të vizitorëve, natyra po e paguan çmimin e popullaritetit.
Zverneci ka gjithçka për të qenë një perlë e turizmit të qëndrueshëm: natyrë, histori, qetësi dhe distancë të afërt me qytetin. Por që kjo pasuri të mos tjetërsohet, nevojitet kujdes më i madh, ndërgjegjësim më i lartë nga pushuesit dhe ndërhyrje të qëndrueshme nga autoritetet për menaxhimin e mbetjeve dhe mbrojtjen e mjedisit.
Një vend që të fal paqe nuk meriton të mbulohet me papastërti. Sepse Zverneci, më shumë se një destinacion, është një thesar natyror që kërkon respekt dhe mbrojtje.
©️zërionline


