Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës, pranë bregdetit të Durrësit, ku një i ri belg ka mbetur i plagosur rëndë pas një incidenti me një mjet lundrues të tipit Jet Ski. Në fillim të qershorit kujtojmë se në këtë zonë humbi jetën një tjetër turist i huaj një 34-vjeçar britanik që u mbyt pasi ra nga jet-ski bashkë me shoqen e vet.
Sipas informacionit paraprak nga Policia e Durrësit, rreth orës 20:00, shtetasi belg H. K., 21 vjeç, është paraqitur në gjendje të rëndë për ndihmë mjekësore në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit. Hetimet e para tregojnë se ai ka humbur kontrollin mbi Jet Ski-n gjatë manovrave në det dhe ka rënë në ujë, duke pësuar dëmtime të rënda trupore.
Nuk dihet ende çfarë ia ka shkaktuar plagët e rënda të riut.
Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, 21-vjeçari është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim intensiv.
Policia ka shoqëruar në Komisariat shtetasin S. Xh., pronar i mjetit lundrues, për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të përgjegjësive të mundshme.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë në përdorimin e mjeteve lundruese në zonat turistike, veçanërisht në kulmin e sezonit veror, ku frekuentimi i bregdetit është i lartë dhe qarkullimi i mjeteve të tilla shtohet ndjeshëm.
©️zërionline


