Stigmatizimi i shqiptarëve në mediat britanike: Një narrativë e qëllimshme apo pasqyrim realiteti?

Date:

Share post:

“Sa herë hap lajmet në Angli, e ndjej sikur po flasin për mua, por jo siç jam në të vërtetë. Jo si djalin që punon dy turne në ndërtim për të ndihmuar familjen në Kukës, por si një “kriminel i mundshëm” që ka ardhur të përfitojë. Nuk është e lehtë të jetosh me ndjesinë se je gjithmonë nën vëzhgim, se një fjalë, një mbiemër, apo një pasaportë mund të të kthejnë në lajm negativ. Ndihesh i huaj jo për shkak të gjuhës apo kulturës, por sepse dikush ka vendosur të të etiketojë për qëllime të veta.”

I sapokthyer në vendlindje për të vizituar nënën e sëmurë, K. S. shprehet i indinjuar për situatën që përjeton shpesh në vendin ku jeton e kontribuon prej vitesh, si një qytetar i ndershëm.  

Në vitet e fundit, shqiptarët janë bërë shpesh tituj kryesorë në mediat britanike, por jo për arritje apo integrim. Ata përmenden si pjesë e një diskursi të ashpër mbi emigracionin, ku shpesh portretizohen si kërcënim për sigurinë kombëtare dhe identitetin britanik. E gjitha kjo ngre pyetje të rëndësishme: Pse shqiptarët janë bërë objektivi i kësaj stigmë? Dhe cilat janë pasojat konkrete të kësaj qasjeje?

Mediat tabloide britanike, si “The Sun” dhe “Daily Mail”, në mënyrë të përsëritur kanë përforcuar një narrativë ku emigrantët shqiptarë paraqiten si pjesë e rrjeteve të krimit të organizuar, apo si individë që përfitojnë në mënyrë të padrejtë nga sistemi i azilit në Britani. Ky lloj raportimi, në vend që të pasqyrojë realitetin kompleks të emigracionit, shërben më së shumti për të justifikuar politikat gjithnjë e më kufizuese të emigracionit të qeverisë britanike.

Në kontrast me imazhin e krijuar në media, realiteti i emigrantëve shqiptarë është i ndryshëm. Shumica e shqiptarëve që emigrojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar nuk janë pjesë e rrjeteve kriminale, por janë individë dhe familje që kërkojnë një jetë më të mirë, shpesh të detyruar nga varfëria ekstreme, mungesa e mundësive dhe pasiguria sociale. Zona të tilla si Kukësi, Has, Dibra apo Tropoja janë ndër më të goditurat nga emigracioni, ku të rinjtë dhe të miturit shpesh shpresojnë të gjejnë një jetë më të sigurt jashtë vendit.

Sipas një komenti të analistit David Neale për “The Guardian”, shumë nga të miturit shqiptarë që mbërrijnë në Britani janë viktima të dhunës, trafikimit apo konflikteve të gjakmarrjes, por në vend që të trajtohen si të tillë, ata përballen me një sistem të ashpër dhe paragjykues.

“Shkova në Angli nga Italia, mbërthyer me thonj, poshtë një kamioni. Ende e kujtoj mpirjen dhe dhimbjen e duarve. Kur kamioni ndalonte, urinoja mbi to për t’i ngrohur. Isha 14 vjeç dhe kisha një ëndërr. Të punoja e ndihmoja familjen.”

Pasojat e një fushate stigmë

Diskursi i ndërtuar në media nuk mbetet vetëm në faqe gazetash apo në emisione televizive. Ai ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të komunitetit shqiptar në Britani. Rritja e tensioneve shoqërore, diskriminimi në vendin e punës, arsim apo shërbimet publike janë pasoja të prekshme për shqiptarët që përpiqen të ndërtojnë një jetë të ndershme në një vend të huaj.

Më shqetësues është ndikimi në të rinjtë shqiptarë në Shqipëri, që përmes rrjeteve sociale dhe mediave ndërkombëtare përballen me një narrativë që i etiketon para se të nisin rrugën e tyre. Në vend të informacionit dhe ndihmës, ata përballen me mite, frikë dhe mungesë orientimi.

Në këtë klimë të ngarkuar, në Kukës ofrojnë një frymë shprese. Përmes projektit “Alternative Pathways”, synohet edukimi i të rinjve shqiptarë mbi realitetin e emigracionit, jo përmes miteve, por nëpërmjet fakteve. Ky projekt i mëson të rinjtë si të lexojnë median në mënyrë kritike, si të kuptojnë të drejtat e tyre dhe cilat janë rrugët e sigurta dhe të ligjshme për të ndërtuar një jetë më të mirë.

Stigmatizimi i shqiptarëve në Britani është produkt i një sistemi mediatik dhe politik që kërkon “fajtorin e rradhës” për sfidat e brendshme. Por përballë këtij realiteti, shqiptarët kanë një mundësi, të ndërtojnë narrativën e tyre, të flasin për realitetin me zë të fortë dhe të promovojnë zgjidhje të mbështetura në edukim, dialog dhe fakt.

Në fund të ditës, lufta kundër paragjykimit është një betejë që nuk fitohet vetëm në politikë apo në redaksitë e mëdha, por në çdo klasë shkolle, komunitet dhe familje ku e vërteta vlen më shumë se titujt sensacionalë.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Homazhe dhe protestë në heshtje para Bashkisë, Nesër protestohet sërish

Një grup banorësh të lagjes 15 në Durrës, të zonës ku ndodhi edhe aksidenti tragjik, janë mbledhur mbrëmjen...

I ati i vrau të ëmën, ai e goditi dhe e la të vdekur/ Gjykata e Sarandës e dënon me 3 vite burg

Policia e Sarandës ka bërë sot ekzekutimin e vendimit duke arrestuar shtetasin Klementin Islamaj 43 vjeç banor i...

“Makina përfundoi në trotuar”/ Zbardhet dëshmia e shoferit që në gjendje të dehur përplasi për vdekje fëmijët

Gjykata e Durrësit ka lënë arrest në burg 57-vjeçarin Nikoll Radaçi i cili në gjendje të hequr përplasi...

Kur dhembja kthehet në spektakël

Vali Qyrfyçi Nuk i shpëtova, as këtë mëngjes herët, zakonit të kontrollit të celularit sa hap sytë. Tre mesazhe...