Për herë të parë në brigjet shqiptare ka mbërritur një kroçerë e dedikuar për aventurën dhe ekspeditat turistike. Pas ndalesës në Sarandë, anija luksoze “National Geographic Orion” është ankoruar në Portin e Durrësit, duke shënuar një ngjarje të rëndësishme për turizmin detar në vend.
Kroçera mbërriti me 108 turistë amerikanë në bord, të cilët po eksplorojnë destinacionet të ndryshme të vendit, si laguna e Karavastasë, qyteti historik i Krujës dhe vetë Durrësi. “National Geographic Orion” është pjesë e një linje prestigjioze udhëtimesh eksploruese, që ofron përvoja unike në vende me natyrë dhe trashëgimi të pasur kulturore.
Sipas Autoritetit Portual Durrës, mbërritja e kësaj kroçere simbolizon hapjen e një rruge të re për turizmin elitar në vend dhe promovon Durrësin si një destinacion të rëndësishëm për turistët me kërkesa të veçanta kulturore dhe natyrore. Ky zhvillim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë vendase dhe në imazhin e Shqipërisë si një vend mikpritës për turizmin cilësor.
Kapiteni i portit të Durrësit, Tauland Allkja, gjatë mirëseardhjes që i rezervoi kapitenit të kroçerës tha se kjo është vetëm ndalesa e parë e “National Geographic Orion” në Shqipëri për këtë vit, pasi kroçera pritet të rikthehet edhe pesë herë të tjera në portet shqiptare. Ai vlerësoi faktin që Shqipëria po kthehet në një ndalesë të përhershme në itineraret eksploruese të kësaj kroçere edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Ky zhvillim përforcon rolin e Durrësit si një portë të rëndësishme hyrëse për turizmin ndërkombëtar, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e destinacioneve elitare të eksplorimit.
©️zërionline


