Në zonën ku ndodhej një stacion karburanti që u shkatërrua nga shpërthimi mëngjesin e sotëm në Romë, kishte gjithashtu edhe një depo për furnizim me gaz LPG. Në zonë janë regjistruar disa shpërthime të fuqishme. Si pasojë, disa automjete janë përfshirë nga flakët, përfshirë edhe disa ambulanca të shërbimit emergjent 118, raportoi agjencia e lajmeve ANSA.
Pranë distributorit ndodhej edhe një depo e 118-ës, ku ishin të magazinuara disa bombola oksigjeni. Për shkak të rrezikut, u urdhërua evakuimi i menjëhershëm i strukturës, si dhe i një qendre verore për fëmijë dhe disa banesave përreth.
Sipas autoriteteve italiane, në total janë evakuuar rreth 50 persona. Aktualisht po kryhen verifikime për të kuptuar nëse flakët kanë përfshirë edhe bombolat e oksigjenit që ndodheshin në depo.
“Po kryhen kontrolle për të përcaktuar nëse zjarret kanë prekur edhe bombolat e oksigjenit në magazinë”, u shpreh për ANSA komandanti i Kompanisë së Karabinierëve të Romës Andrea Quattrocchi.
©️zërionline


