Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum, një nga diplomatët më të njohur e më të dashur për shqiptarët. Trupi i pajetë i diplomatit u gjet paraditen e sotme në dhomën e një hoteli në Golem, ku ai po qëndronte prej disa ditësh si i ftuar i bashkisë Kavajë. Paraprakisht dyshohet se vdekja ka qenë nga shkaqe natyrore.
Sipas burimeve të ZO, Daum kishte një takim të planifikuar në hollin e hotelit, rreth orës 10:00, por nuk ishte paraqitur. Personi me të cilin do të takohej, i shqetësuar nga mungesa e tij dhe fakti që nuk përgjigjej në telefon, kërkoi ndihmën e stafit të hotelit në recepsion. Pas hyrjes në dhomë, Daum u gjet në krevat, pa shenja jete.

Vetëm dy ditë më parë, ish-ambasadori kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së dëshmorit të demokracisë Josif Budo në Kavajë, një vend që ai e kishte për zemër. Werner Daum shërbeu si ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri gjatë viteve 1987-1990, një periudhë delikate në prag të rënies së regjimit komunist.
Ai do të kujtohet për guximin dhe humanizmin e tij, në kundërshtim me urdhrat e qeverisë së vet, hapi dyert e ambasadës gjermane për qytetarët shqiptarë që kërkonin lirinë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në përshpejtimin e ndryshimeve demokratike në vend.
Werner Daum mbetet një figurë e nderuar në kujtesën e shqiptarëve, një mik i sinqertë dhe zë i ndershëm i vlerave evropiane.
Ai u nderua nga kryetari i bashkisë Kavajë me Certifikatën e Mirënjohjes.
©️zërionline


