Në një kohë kur bota po përballet me pasojat e ndryshimeve klimatike dhe kërkon burime gjithnjë e më të pastra energjie, një zgjidhje befasuese vjen nga thellësitë e detit. Nuk është fantashkencë, një balonë që lundron nën ujë dhe mund të furnizojë mijëra shtëpi me energji të pastër.
Kjo teknologji inovative e energjisë së rinovueshme vjen nga Suedia dhe quhet “Balonë deti”. Ajo është krijuar për të ndihmuar në mbrojtjen e planetit, duke shfrytëzuar fuqinë e vazhdueshme të rrymave detare, një burim natyror që ka ekzistuar për shekuj me radhë, por që tani mund të përdoret në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme.
Startup-i suedez Minesto ka krijuar një pajisje unike me emrin Dragon 12, një balonë e gjatë 12 metra, e pajisur me turbina të integruara dhe e ankoruar në fundin e detit. Përmes një kablloje të veçantë, ajo qëndron e lidhur me shtratin detar dhe njëkohësisht transmeton energjinë elektrike të prodhuar nga rrymat që e rrethojnë.
Dragon 12 ka kapacitetin të gjenerojë rreth 1.2 megavat energji në ditë, mjaftueshëm për të furnizuar mbi 1,000 shtëpi me energji të pastër. Prototipi i saj i parë është gati të lundrojë në ujërat e Ishujve Faroe, ku do të vihet në provë në kushte reale detare.
Por ambicia e Minesto-s nuk ndalet këtu. Kompania suedeze synon të instalojë 100 balona të tilla, duke siguruar një kapacitet prej 120 megavat, një sasi e konsiderueshme për komunitetet ishullore që shpesh varen nga burime të shtrenjta dhe ndotëse energjie.
Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm në evolucionin e energjisë së rinovueshme, duke shtuar energjinë detare në hartën globale të burimeve të pastra. Teknologjia që dikur ishte pjesë e fantazisë shkencore po bëhet realitet dhe vjen nga thellësitë e detit.
A mund të jetë ky modeli që do të ndriçojë të ardhmen edhe në brigjet tona?
©️zërionline


