Në Gjykatën e Durrësit, rrezikojnë të anulohen çdo ditë të paktën 100 seanca gjyqësore penale dhe civile për shkak të bojkotit të avokatëve gjatë kësaj jave. Dhoma e Avokatisë vendosi bojkotin, duke përjashtuar vetëm seancat për masat e sigurisë. Ky vendim pritet të respektohet edhe nga avokatët e Tiranës dhe ata të rretheve të tjera që kanë çështje në Durrës gjatë kësaj jave.
Lorval Petani, Kryetar i DHVA Durrës, u shpreh për Zëri Online: “Ky vendim i është komunikuar edhe kryetarit të DHKA, z. Maksim Haxhia, i cili ua ka komunikuar dhe drejtuesve të dhomave vendore të avokatisë që të respektohet nga të gjithë avokatët.”

Megjithatë, në ambientet e gjykatës së Durrësit, bëhet me dije se të paktën dy avokatë nga Tirana kanë marrë pjesë në seanca. Në disa raste, qytetarët kanë tentuar të zhvillojnë vetë seancat, të papërfaqësuar nga avokatët, gjë që ka shkaktuar probleme në mbarëvajtjen e seancave për shkak të rolit kyç që ka avokati në proces.
Shqiponja Meta, avokate, shprehet: “Ka disa javë që janë mbyllur dyert e gjykatës për avokatët. Kjo nuk është etike dhe as ligjore. Cenohet parimi i barazisë së palëve mes avokatit dhe prokurorit. Avokati është institucion. Figura e tij nuk mund të denigrohet. Nëse e prekni atë, keni prekur shtetin.”

Avokatët, të detyruar të presin jashtë gjykatës së bashku me palët dhe kundërshtarët, shprehen se u rrezikohet siguria dhe dinjiteti i tyre, duke cenar barazinë mes palëve në proces. “Le të vijnë dhe prokurorët të presin me ne në ambientet jashtë gjykatës,” u shprehën disa prej tyre, teksa u mblodhën këtë të hënë në ambientet e Dhomës Vendore të Avokatisë Durrës.
Lorval Petani shtoi: “Kjo cenon klientët, avokatët dhe gjykatën sepse shtyhen gjyqet. Por është masë parandaluese; shtyhen gjyqet, por do të jetë vonë nesër nëse një avokat do të goditet nga një palë apo do të ketë probleme. Është më mirë të parandalojmë.”
Ndërkohë, e përballur me këtë bojkot dhe pasojat e tij, Gjykata e Durrësit ka deklaruar se do të marrë masat për një takim të shpejtë me përfaqësues të Dhomës Vendore të Avokatisë për të gjetur zgjidhjet e mundshme.
“Shtimi i organikës me gjyqtarë dhe nëpunës të administratës, si dhe zgjerimi i juridiksionit të kësaj gjykate në katër bashki, ka rritur ndjeshëm numrin e çështjeve që gjykohen gjatë ditës. Ambientet e godinës ku ushtron veprimtarinë kjo gjykatë janë të pamjaftueshme për ushtrimin e detyrës si nga ana e gjyqtarëve po ashtu dhe të administratës gjyqësore. Ato nuk ofrojnë garancitë e nevojshme për sigurinë fizike të gjyqtarëve, zbatimin e parimit të transparencës, trajtimit dinjitoz e solemn të përdoruesve të gjykatës apo zhvillimin e seancave gjyqësore në tërësi. Problematika e një godine të re është adresuar ndër vite.
Në kuadër të mirëadministrimit të këtyre ambienteve, është vlerësuar që palët ndërgjyqëse, për pritjen e seancave gjyqësore, të qëndrojnë në hollin e Gjykatës në katin e parë dhe njoftimi i tyre të kryhet njëkohësisht si nga sekretaret gjyqësore edhe nëpërmjet sistemit audio. Theksojmë se kjo masë e marrë nga Gjykata është e diktuar objektivisht nga kushtet dhe në asnjë rast si masë që cenon aksesin në Gjykatë, shkruhet në deklaratën e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Sipas zv.kryetarit të Gjykatës, Paulin Cera, godina aktuale është e pamjaftueshme në hapësira, duke rrezikuar dhe sigurinë fizike të gjyqtarëve. Ndërkohë, po punohet për të shfrytëzuar ish-godinën e Gjykatës së Apelit në Shkozet për të lehtësuar veprimtarinë e saj.
“Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës shpreh gatishmërinë maksimale në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe duke konsideruar çdo shqetësim të përcjellë prej përdoruesve të gjykatës, është duke marrë masat dhe vlerësuar të gjitha alternativat e mundshme për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës.”

Avokatja Shqiponja Meta është e bindur se do të gjendet gjuha e përbashkët për zgjidhjen e situatës së krijuar që në thelb raportohet nga të dyja palët të ketë sigurinë fizike të avokatëve dhe gjyqtarëve, si dhe integritetin e tyre.
“Në të kundërt, do të vijojmë të ndjekim procedurat ligjore hap pas hapi,” u shpreh Meta.
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


