Këshilli bashkiak i Durrësit miratoi, këtë të martë, me shumicë votash parkimin me pagesë në 15 rrugë dhe 8 sheshe kryesore të qytetit. Ky vendim, sipas bashkisë, u mor për të menaxhuar problematikën e theksuar të parkimit, krijuar për shkak të numrit të lartë të banorëve dhe flukseve turistike. Tarifat e miratuara për parkimin në rrugët me pagesë për zonën A do të jetë 100 lekë/ora dhe për zonën B do të jetë 40 lekë/ora. Vendimi shkaktoi debate të shumta në këshillin bashkiak të Durrësit për pasojat ekonomiko-sociale, që pritet të sjellë. Sipas këshilltarëve të opozitës Ardian Muka dhe Dritan Burgija, ky vendim është i nxituar dhe prek qytetarët. Qyteti i Durrësit, sipas tyre, nuk është gati për këtë hap të rëndësishëm, pasi ende nuk ka vendparkime të posaçme, ndërsa këshilltarja Blerina Reçi kërkoi rishikim dhe ulje të tarifave për orë parkimi.
Edhe këshilltari Joni Myshketa u shpreh kundër kalimit në rendin e ditës të kësaj pike duke kërkuar organizimin e një tjetër dëgjese publike me qytetarë dhe grupet e interesit, gjë që nuk u pranua pasi, sipas kryetares së bashkisë Durrës, dëgjesa publike është bërë. Për rezidentët, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako deklaroi se do t’u lejohet parkimi pa pagesë vetëm për një prej automjeteve të familjes pranë zonës ku banojnë.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, vendimi u miratua me votat e këshilltarëve socialistë dhe aleatëve të tyre.
Zonat e tarifimit janë përcaktuar në varësi të frekuentimit të lartë që kanë, ku më e shtrenjtë është zona A që përfshin qendrën administrative të qytetit, bulevardet e tij, rrugën në hyrje të qytetit deri te mauzoleumi i dëshmorëve, si dhe rrugët përgjatë shëtitores “Taulantia” dhe rrugën e plazhit, Në zonën B përfshihen disa rrugë të tjera përgjatë të cilave ngrihen biznese dhe aktivitete të ndryshme.

Janë rreth 4200 vendparkime në rrugët e Durrësit të cilat do të tarifohen, ndërkohë që brenda këtij viti pritet të përfundojë dhe godina me 400 vendparkime automjetesh pranë stacionit të trenit dhe terminalit të trageteve. Ndërkohë me pagesë do të bëhen edhe 8 sheshe publike për të cilat qytetarëve u kërkohej pagesë në mënyrë abuzive deri më sot nga individë të ndryshëm.
Rrugët e destinuara për parkim me pagesë në zonën A:
Rruga “Taulantia”
Rruga e Currilave
Bulevardi “Epidamn”
Bulevardi “Dyrrah”
Rruga “Egnatia”
Rruga “Mars 91”
Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 1)
Rruga e Dëshmorëve
Rruga “Adria”
Rruga “Pavarsia”
Rruga “Hafiz Ali Pogdorica”
Rrugët e destinuara për parkim me pagesë në zonën B:
Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 2)
Rruga “Mujo Ulqinaku”
Rruga “Stefan Kaculini” dhe Rruga “Glaukia”
Rruga “Hysen Kërtusha”
Kohëzgjatja dhe tarifat e parkimit me pagesë në rrugë për zonat A dhe B:
– Gjatë periudhës nga data 1 qershor deri 30 shtator, nga ora: 08.00-20.00, e hënë – e premte.
– Gjate periudhës nga data 1 tetor deri 31 maj, nga ora: 08.00-18.00, e hënë – e premte
– Zona A, tarifa për vendparkim me pagesë në rrugë: 100 Lekë/ora.
– Zona B, tarifa për vendparkim me pagesë në rrugë: 40 Lekë/ora.
Jashtë fashës së orarit/ ditëve të sipërcituara parkimi në rrugët e zonës A dhe B do të jetë pa pagesë përfshirë dhe rezidentët.
Sheshet ku parkimi do të bëhet me pagesë:
Sheshi pranë bar Portofino.
Dy sheshet në rrugën “Mars 91”
Sheshi poshtë Urës së Dajlanit
Sheshi “Jorgji Ziu” tek Mauzoleumi i Dëshmorëve
Sheshi në territorin e brendshëm të Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”
Sheshi pranë tregut industrial, në rrugën “Hysen Myshketa”
Sheshi “Vollga” pranë Autoritetit Portual Durrës.
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


