Kronikë në qiell

Date:

Share post:

“Kronikë në gur” ishte romani i parë që kam lexuar në jetën time. Isha fëmijë. Që nga ai moment, Kadare nuk doli më kurrë prej meje. 

Ikja e tij në Francë në atë fillim vjeshte 1990 për mua, adoleshent 16 vjeçar, qe një tronditje dhe moment final për refuzim të komunizmit. Nuk ishte zgjedhje racionale. I besova atij dhe pikë!

Po atë vit shkollor, pa rënë ende komunizmi, kam patur një mësues letërsie fantastik në gjimnaz që na mësoi si ta lexonim Kadarenë. Si ta lexonim atë që ishte mes tekstit, pas tij. Mu duk sikur më dha çelsin që hapte një botë tjetër. Rilexova me një frymë sërish gjithçka kisha lexuar prej Ismailit deri atëherë. 

Kuptova sa i zi ishte komunizmi. Më dukej si një udhëtim dantesk me Kadarenë si Virgjilin tim përkrah. Një udhëtim në viset e tmerrit komunist. Më çonte larg në kohë e hapsirë për të më thënë sa keq isha në të tashmen në vendin tim. 

Ndryshe nga autorë të tjerë disidentë që disidencën e kishin të drejtpërdrejtë, zgjodha Kadarenë sepse nuk më tregonte çfarë duhej të mendoja, por më shtyu të mendoja vetë kundër komunizmit. Për mua kjo ishte më e madhe, më e rëndësishme, më e qëndrueshme dhe me ndikimin më afatgjatë tek unë.

Më mësoi se sa shumë e shkuara shërben për te kuptuar të sotmen. Se mund të shkruash për të shkuarën duke zbërthyer apo fshikulluar të tashmen. Sepse gjithmonë, edhe sot në demokraci “euroatlantike” ka censurë, shtetërore, shoqërore, madje brenda partisë, që të gjykon e nuk të le të lirë të zgjedhësh mendimin tënd. Me mësoi se çfarë flatrash fantastikë ka fantazia për të gjetur krahasimin e duhur.

Kam menduar shpesh pas 1990 që Ismaili nuk ishte politikan. Nuk kam qenë dakord me qëndrime të tij. Por fundja pse një shkrimtar i madh duhej të ishte patjetër politikan i madh. Për fat ai ishte gjigand në artin e tij. Kaq më mjaftoi gjithmonë për të mos censuruar lirinë e tij me gjykimin tim.

Një herë vajza e madhe më ftoi në klasën e saj në gjimnaz të flisja për Kadarenë. Folëm për fillin e nacionalizmit dhe rezistencës që lidh romanet “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Koncert në fumd të dimrit”. Pash që edhe pas shumë vitesh nga adoleshenca, më rrëmbeu pasioni. E kam dashuruar atë iluzion madhështie të Shqipërisë që Kadare ngjizte në fletët e librave të tij.

M’u bë shumë qejfi disa vite me pas që klasa e vajzës së vogël kishte bërë një projekt letërsie në gjimnaz, ia kishte çuar e ai e kishte parë projektin dhe e kishte fiksuar me një foto. Ndoshta ky ka qenë kontakti më i afërt që kam patur me Ismailin.

Kurrë nuk kam gjykuar njeriun Kadare. Madje kurrë nuk e takova as për një autograf. Kisha frikë se mos thyhej miti i Kadarese brenda meje. Nuk do t’ia lejoja as Ismailit ta thyente atë mit. E që sot, ai është vërtet një mit.

E di që ka njerëz që nuk u pëlqen, që nuk e duan, që e kritikojnë madje flasin edhe me mllef e urrejtje. Shpesh nuk kam shkruar sepse kam dashur të shmang komentet brutale që i lëshojnë si shigjeta të helmatisura . Sot shkruaj se Ismaili nuk është më dhe më ka lënë pas Kadarenë tim. Shpresoj që kush ka qytetari, ta respektojnë zgjedhjen time në këtë “adio” por askush nuk ma prek dot zgjedhjen dhe lirinë për ta shprehur. 

Unë kurrë nuk kam qenë tek “Sokaku i të marrëve”. E nuk e di nëse do të dua të shkoj e ta shoh në realitetin e sotëm. Sepse në imagjinatën time, e zbres atë sokak ku çdo portë, në vend të emrit të familjes, ka një titull të Kadaresë që aq bukur na e la atë sokak.

Që sot, Kadare shkruan kronikën e tij në qiell. Lamtumirë!

Oerd Bylykbashi

spot_img

Artikuj të lidhur

Tragjike në Shkodër, makina del nga rruga dhe përplas për vdekje këmbësoren

Një aksident tragjik është regjistruar pasditen e sotme në Shkodër, ku një 67-vjeçare ka humbur jetën pasi është...

Tragjedia hekurudhore në Spanjë i merr jetën edhe kompozitores së njohur Marisa Manchado

Fituesja e Çmimit Kombëtar të Muzikës 2024 udhëtonte drejt Seviljes për një aktivitet kushtuar krijimtarisë së saj. Bilanci...

Vrau në Selanik Spartak Dervishin, arrestohet e 26-vjeçari shqiptar

Policia greke ka arrestuar 26-vjeçarin shqiptar Romarjo Tahiraj, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Spartak Dervishit...

Gjilan/65-vjeçari dyshohet se vrau djalin 27-vjeçar dhe nipin foshnjë

Zbardhen detaje të reja nga vrasja e dyfishtë në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku mëngjesin e sotëm u...