Një drejtues shkolle publike në Durrës është shpallur në kërkim nga policia për shitje narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje. Në kuadër të një hetimi policor të drejtuar nga Prokuroria e Durrësit, u organizua këtë fundjavë operacioni “Summer” që goditi një grup personash që ushtronin veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Ky grup u godit pas një hetimi dy mujor që mundësoi dokumentimin e akuzave për 16 persona që u mbajtën në përgjim dhe u bënë pjesë e blerjeve të simuluara të drogës nga agjentë dhe të infiltruar të policisë.

Operacioni “Summer”, i cili u shtri në Durrës, Shijak dhe Kavajë, çoi në pranga 15 persona, 3 të tjerë u shpallën në kërkim, ndërsa u proceduan penalisht edhe 4 të tjerë. Nga 16 urdhër arreste të lëshuara me vendim gjykate, u ekzekutuan vetëm 13. Tre të tjerët arritën t’i shpëtojnë prangave të policisë, mes tyre dhe drejtori i shkollës artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës, 41-vjeçari Dashamir Mehmeti. Ai nuk u gjet në shtëpi, por gjatë kontrollit në banesë iu gjet edhe një pistoletë duke i rënduar pozitat e tij para ligjit.



Sipas burimeve policore, drejtori i shkollës publike, ashtu si dhe persona të tjerë, ra në kurthin e policisë duke iu përgjigjur kërkesës së agjentit policor të interesuar për blerjen e dozave të drogës. Për të dokumentuar veprimtarinë e paligjshme të këtyre personave, policia përdori blerjet e simuluara, përgjimet ambientale dhe filmimet me dron. Gjatë këtij operacioni, policia zbuloi dhe disa persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në banesat e të akuzuarve, policia sekuestroi një arsenal armësh dhe municioni luftarak, mes të cilëve pistoleta, pushkë e kallashnikov, një sasi droge të llojeve të ndryshme, para, 7 automjete dhe telefona celularë që pritet të zbulojnë identitetin e të tjerëve të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Policia vijon punën për kapjen e tre personave në kërkim, mes të cilëve drejtori i shkollës publike, ndërsa Zyra Vendore e Arsimit nuk ka reaguar ende ndaj këtij fakti të rëndë
@zërionline


