Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mori fillimisht një mesazh kërcënues në telefonin e tij. Mesazhi, i dërguar nga Nazmi Selmani, presidenti i klubit të futbollit “Iliria” dhe pronari i “Nord Park Resort” në Fushë Krujë, përmbante një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Dukës: “…..pyte nonen e kalamajve tuj pyti fmijt e tuj a i kam bo un me qajt…”.
Kërcënimet nuk përfunduan me mesazhin në telefon. Nazmi Selmani, së bashku me disa anëtarë të familjes së tij, përfshirë Petrit Selmanin, Brajan Selmanin, Santiago Selmanin, Adolfo Selmanin, Redian Locin dhe shtetasin A. Selmani (39 vjeç), shkuan deri në banesën e Armand Dukës për ta kërcënuar personalisht.
Sipas burimeve policore, kërcënimi kishte të bënte me kërkesën që Gentian Selmani, djali i Nazmi Selmanit që është dhe një lojtar aktual i ekipit të Tiranës, të ftohej në Kombëtaren shqiptare. Gentian Selmani ka qenë pjesë e ekipeve të ndryshme të Kombëtares dhe ka zhvilluar 4 ndeshje me ekipin A.
Në përpjekje për të ruajtur integritetin e institucionit, Armand Duka raportoi kërcënimet dhe pas një ndërhyrjeje të shpejtë nga Policia e Durrësit, u arrestuan Nazmi Selmani dhe disa nga anëtarët e tjerë të familjes së tij. Ndërkohë, Adolfo Selmani dhe shtetasi A. Selmani (39 vjeç) u proceduan në gjendje të lirë.
Ky incident shënon një rast të rëndë të përzierjes së interesave personale me strukturat e futbollit dhe ngre shqetësime për sigurinë dhe integritetin e administratës së sporteve në Shqipëri.
©️zërionline


