Shkolla ku mësonte 17-vjeçarja Noela Caka, e cila humbi jetën tragjikisht nga meningjiti akut, ka rifilluar procesin mësimor këtë të martë, pas dezinfektimit dhe marrjes së masave profilaktike. Autoritetet arsimore dhe shëndetësore kanë ndërhyrë menjëherë për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe stafit pedagogjik.
Procesi i dezinfektimit të ambientit u krye në bashkëpunim me bashkinë Durrës dhe strukturat vendore të kujdesit shëndetësor, të cilat sigurojnë se të gjitha sallat, korridoret dhe mjediset e përbashkëta janë plotësisht të pastra dhe të sigurta për rikthimin e nxënësve.

Paralelisht, janë marrë masa të tjera parandaluese, përfshirë edukimin e nxënësve dhe prindërve mbi simptomat e meningjitit dhe rëndësinë e higjienës personale për të shmangur përhapjen e sëmundjeve infektive. Ndërkohë prindërit kërkojnë që mjekët të zhvillojnë takime me mësuesit dhe nxënësit për të informuar rreth mbrojtjes dhe trajtimit të hershëm të rasteve të dyshimta.
“Siguria e nxënësve është prioritet për ne,” tha drejtori i shkollës, Tomorr Agalliu duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit midis familjeve dhe institucioneve për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Rasti i rëndë që tronditi Durrësin dhe komunitetin ka nxjerrë në pah nevojën për një vigjilencë më të lartë shëndetësore dhe ndërgjegjësimin mbi sëmundjet infektive. Familja, miqtë dhe bashkëmoshatarët e Noeles kanë shprehur dhimbjen e tyre të thellë, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës për të siguruar që mjedisi shkollor të mbetet i shëndetshëm dhe i sigurt.
Për momentin, nuk ka raportime për raste të tjera të ngjashme, ndërkohë që masat profilaktike do të mbeten në fuqi.
©️zërionline


