Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) Durrës ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me rastin e 14-vjeçarit të prekur nga meningiti akut, duke theksuar se rasti është trajtuar në përputhje me protokollet mjekësore dhe epidemiologjike.
Sipas NVKSH, Neisseria meningitidis është një infeksion bakterial me përhapje të shpejtë përmes kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur, i cili mund të shfaqet në çdo moshë, por disa grupmosha janë më të rrezikuara.
Pacienti u trajtua fillimisht në Spitalin e Durrësit, ku u kryen ekzaminime neurologjike për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore dhe u dyshua për meningo-encefalit (prekje të cipave të trurit). Për këtë arsye, ai u transferua në QSUT “Nënë Tereza” për trajtim të specializuar në terapi intensive, ku po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
NVKSH Durrës deklaron se ka raportuar rastin sipas Ligjit nr. 51/2016 për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive. Në këtë kuadër, janë zbatuar të gjitha masat për gjurmimin e kontakteve dhe administrimin e profilaksisë me antibiotik për 19 punonjës shëndetësorë në Spitalin e Durrësit, personelin shëndetësor në QSUT, 30 persona në shkollën e të miturit, përfshirë 24 nxënës dhe 6 mësues.
NVKSH ka siguruar se nuk ka pasur asnjë neglizhencë në ndjekjen klinike dhe epidemiologjike të rastit, ndërsa protokollet dhe udhëzuesit për trajtimin dhe parandalimin e meningitit janë zbatuar në mënyrë rigoroze.
©️zërionline


