Dëgjesat publike të Bashkisë Durrës: Banorët e Sukthit ende pa zgjidhje

Date:

Share post:

Dëgjesat publike të organizuara nga Bashkia e Durrësit me qytetarët, në dukje një mekanizëm demokratik për përfaqësimin e interesave të komunitetit, vijojnë të shfaqin mangësi të rënda në reflektimin e shqetësimeve të banorëve.

Sipas raportit të Bashkisë Durrës mbi dëgjesat publike për Programin Buxhetor Afatmesëm 2023–2025, në vitin 2022 u organizuan 33 dëgjesa me pjesëmarrjen e 552 banorëve, përfaqësuesve të komunitetit, biznesit dhe shoqërisë civile. Një prej tyre u zhvillua në Sukth, ku 88 banorë ngritën shqetësime të ndryshme, nga problematikat me kanalizimet dhe pastrimin e mbetjeve, deri te ndërprerjet energjetike dhe mungesa e kushteve bazë në shkolla.

Monitorimi i premtimeve

Gjatë vitit 2024, një grup pune i përberë nga banorë të Sukthit dhe mbështetur nga Qendra për Zhvillimin e Shoqërisë Civile Durrës (CSDC) monitoroi situatën në terren për të verifikuar nëse kërkesat e vitit 2022 kishin gjetur zgjidhje. Rezultatet e tyre, të ilustruara me foto, intervista dhe takime me banorët, u publikuan në faqen “Sukthi Monitoron” dhe iu paraqitën Bashkisë Durrës e Këshillit Bashkiak gjatë periudhës nëntor-dhjetor të vitit të kaluar.

Monitorimi zbuloi se pavarësisht angazhimeve publike, pjesa më e madhe e kërkesave të banorëve nuk ishin reflektuar as në buxhetin e vitit 2025. Vetëm një prej tyre, ndërtimi i shkollës 9-vjeçare në Vadardhë, është bërë pjesë e planit të investimeve.

Indiferenca ndaj kërkesave qytetare

Në një përgjigje zyrtare, Bashkia e Durrësit deklaroi se “kërkesat e listuara nuk janë parashikuar në buxhetin e vitit 2025, por do të mbahen në konsideratë për vitin pasardhës”. 

Banorët, të cilët tashmë janë mësuar me premtime të ngjashme, shprehin skepticizëm. E papritur ishte mospërfshirja në buxhet edhe për CSDC-në që i ka mbështetur këta banorë duke i inkurajuar të jenë qytetarë aktivë dhe të bashkëpunojnë me Bashkinë për të adresuar problemet e tyre. 

“Kemi kërkuar kanalizime në pallatet e Qendër-Sukthit për të shmangur përmbytjet dhe pastrimin e mbetjeve urbane prej vitesh, por ende jemi në pritje. Po ashtu në Hamallaj”, shprehet një nga pjesëmarrësit e monitorimit. “Për ngrohjen në shkollat tona as që diskutohet më, fëmijët vazhdojnë të vijnë me batanije në klasë.”

Këto dhe shumë probleme të tjera që lidhen me infrastrukturën e sinjalistikën rrugore, mirëmbajtjen e varrezave, sigurinë e fëmijëve teksa luajnë në rrugë etj. janë kërkesa jetike për komunitetet e zonave të ndryshme të njësisë administrative Sukth, por ata duhet të presin. 

Pavarësisht përpjekjeve të banorëve për të kërkuar llogari përmes dëgjesave publike dhe angazhimeve në monitorim, rezultatet mbeten minimale.

A do të vijojnë këto dëgjesa të jenë thjesht një fasadë e bashkisë, apo më në fund do të kthehen në veprime konkrete? Për momentin, banorët e Sukthit mbeten në pritje.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Fushë-Krujë/16-vjeçari humb jetën pas shkëputjes së ashensorit, arrestohen dy persona

Një 16-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në një restorant në fshatin Arrameras të Fushë-Krujës, pas një aksidenti me...

Shqiptari humb kontrollin pas sherrit me gruan, tentoi të përplasë dy efektivët me makinë në Itali

Një shqiptar ka përfunduar në arrest shtëpie në Trento të Italisë, pasi tentoi të përplasë me makinë dy...

Bill Gates: Sulmet kibernetike me AI, rreziku më i madh

Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka paralajmëruar se kërcënimi më i afërt nga inteligjenca artificiale nuk lidhet me...

Plagosi 36-vjeçarin turk në një lokal në Sauk, arrestohet në Greqi 19-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arrestimin në Greqi të një 19-vjeçari turk, i cili...