Në rrugë, në kafene apo dhe në shkollë, është e zakonshme të shohësh të rinj me një cigare në dorë, ose duke thithur avull nga një e-pin. Disa e bëjnë nga kurioziteti, të tjerë për të ndjekur trendin, ndërsa disa mendojnë se vape është një alternativë “më e shëndetshme” ndaj duhanit. Por a e dimë vërtet çfarë po i japim trupit tonë? A është vape me të vërtetë më e sigurt apo thjesht një tjetër mënyrë për t’u bërë të varur?

Cigare vs. Vape – Çfarë përmbajnë?
– Cigarja tradicionale:
7,000+ kimikate, ku shumë janë kancerogjene. Katran, monoksid karboni dhe një listë e gjatë toksinash që dëmtojnë mushkëritë dhe zemrën.
– Vape (e-pini):
Avull, por jo ujë i pastër! Përmban nikotinë (nëse zgjidhet me nikotinë), kimikate si propilenglikol dhe glicerinë, plus aroma artificiale. Disa studime tregojnë se disa kimikate në vape mund të dëmtojnë mushkëritë.

Po varësia?
Nikotina është ajo që të bën të ndihesh i varur, qoftë nga cigarja apo e-pini. Mos harro: vetëm sepse një vape ka shije frutash apo mente, nuk do të thotë se nuk krijon varësi! Shumë të rinj që fillojnë me e-pinë përfundojnë të varur më shumë se sa mendonin.

Vërtet është më mirë vape?
– Nuk ka katran, por ka ende kimikate.
– Mund të jetë më pak e dëmshme se cigarja, por nuk është e padëmshme.
– Studimet për efektet afatgjata ende vazhdojnë.
Rregullimi dhe Perceptimi Publik
– Cigaret tradicionale janë të rregulluara rreptësisht në shumicën e vendeve për shkak të rrezikut të qartë për shëndetin.
– Cigaret elektronike shpesh promovohen si një alternativë “më e sigurt” ose një mënyrë për të ndihmuar në lënien e duhanit, por studimet ende po vlerësojnë efektet afatgjata.
A është zgjedhja jote?
Sigurisht, por dije që edhe cigarja edhe vape mund të të fusin në një cikël varësie dhe dëmtimi të shëndetit. Nëse nuk ke filluar, mos e bëj. Nëse ke filluar, mendo dy herë: A do të lejosh që një pajisje e vogël të marrë kontrollin mbi ty?

©️zërionline


