Në primaret e Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, Manjola Luku, Anëtare e Këshillit Bashkiak Durrës, ka arritur një rezultat të spikatur, duke u renditur e dyta me 424 vota, pas Igli Carës që udhëheq me 622 vota. Ky rezultat ka theksuar mbështetje të fortë për Lukun, e cila, me një karrierë të pasur 25-vjeçare dhe me një hyrje të butë, por bindëse dhe gjithnjë në ngritje në politikën lokale, është kthyer në një figurë të njohur për përkushtimin dhe angazhimin e saj.
Farmaciste në profesion, në këto primare, Luku ka kaluar bindshëm shumë kandidatë të tjerë, si Aulon Kalaja, Skender Dika dhe Dritan Burgija, që kanë marrë 296, 275 dhe 263 vota respektivisht. Rezultati i Lukut ka pasqyruar jo vetëm përkrahjen për të si individ, në Manëz ku jeton dhe në Durrës, por edhe shpresën e elektoratit për një përfaqësim të fuqishëm të grave në politikë e parlamentin e ardhshëm, të grave që nuk bërtasin, por që mund t’i përfaqësojnë me dinjitet.
Pas Manjolës, gratë që kaluan pragun e 130 votave janë deputetja Andia Ulliri, me 177 vota, e ndjekur nga mjekja e mirënjohur neurologe Edlira Harizi, me 162 vota dhe Fatbardha Kadiu, që mori 150 vota. Ky rezultat tregon një rritje të mbështetjes së grave, konkretisht Lukut dhe Edlira Harizit brenda partisë demokratike dhe mundësinë e një përfaqësimi ndryshe dhe më të fortë të grave në politikë.
Më tej Ilirjana Kuçana u rendit me 128 vota, duke mbetur pak poshtë pragut të 130 votave.
Në krahasim me Manjola Lukun dhe gratë që kaluan pragun, një nga befasitë më të mëdha të këtyre primareve, ndonëse për anëtarësinë e Durrësit ishte i pritshëm, qe rezultati i Floriana Garos, anëtare e Kryesisë së PD-së dhe një emër i njohur, gjithnjë në krah të liderit demokrat Sali Berisha. Me vetëm 32 vota, Garo ka pasur një rezultat të papritur dhe zhgënjyes, duke theksuar se sfidat e brendshme të partisë dhe dinamika e votimit ndihmuan në krijimin e këtij rezultati. Ky rezultat tregon se mbështetja për të brenda partisë nuk është ajo që priste, përkundër angazhimit të saj të gjatë dhe rolit të rëndësishëm që ka në strukturat drejtuese të PD-së.
“Duhej të kandidonte në Tiranë, atje ku jeton dhe ka më shumë kontribut”, u shpreh një votues i PD-së Durrës, për të cilin ky rezultat i Garos nuk ishte surprizë.
Këto primare kanë dhënë një pasqyrë interesante për forcën e grave në PD dhe kanë nxjerrë në pah jo vetëm një përpjekje për përfshirje të më shumë grave në politikë, por edhe sfidat me të cilat ato përballen për të pasur një ndikim të konsiderueshëm në nivelet udhëheqëse të partisë. Rezultatet e kësaj gare brenda PD-së janë një reflektim i fuqisë dhe ndikimit të individëve të ndryshëm dhe mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në proceset e ardhshme politike në qarkun e Durrësit dhe më gjerë, duke nisur nga zgjedhjet e 11 majit.
Vali Qyrfyçi
©️zërionline


