Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Durrësit, ku një grua 54-vjeçare ka humbur jetën gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale në një klinikë private. Viktima është identifikuar si Valbona Xha, banuese në Durrës.


Sipas njoftimit të policisë vendore, ka nisur një procedim penal në gjendje të lirë ndaj mjekut 59-vjeçar Ilir Shani, me akuzën e “neglizhencës në trajtimin mjekësor”. Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Durrësit nga specialistët për hetimin e krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Mjeku, i cili ushtron prej vitesh profesionin në qytetin bregdetar, po hetohet lidhur me rrethanat që çuan në humbjen e jetës së pacientes pak orë pas operacionit. Sipas legjislacionit penal shqiptar, në rastet kur neglizhenca mjekësore shkakton vdekjen e një personi, parashikohet dënim me burgim deri në 2 vjet.
Ngjarja ka ngjallur shqetësim te familjarët e viktimës dhe në opinionin publik, ndërsa organet kompetente vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e vdekjes.
©️zërionline


