Diplomati dhe ish-këshilltari në Ministrinë e Integrimit Evropian, Ilir Shqina, është ndarë nga jeta në mënyrë të parakohshme, duke lënë pas dhimbje tek familjarët, miqtë dhe kolegët që e kanë njohur nga afër. Lajmi është bërë publik nga miqtë e tij në rrjete sociale, mes të cilëve edhe ish-ministrja Majlinda Bregu, e cila ka ndarë një mesazh prekës për ndarjen e tij.
“Sapo mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të Ilir Shqina-s”, shkruan Bregu. “E kam njohur Ilirin kur të dy ishim pedagogë të rinj në Universitet, dhe më vonë pata fatin ta kem pranë si Këshilltar diplomatik në Ministrinë e Integrimit Europian, në vitet kur Shqipëria përballoi një nga fazat më të rëndësishme të procesit të anëtarësimit në Europë.”
Ajo thekson se, ndonëse nuk ndanin të njëjtat bindje politike, Shqina spikati në administratë për korrektësinë, dinjitetin dhe maturinë e tij, të cilat i konsideron vlera të rralla në shërbimin publik.
“Ngushëllimet më të sinqerta për këtë dhimbje të parakohshme, familjes dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan. U prehsh në paqe, Ilir”, përfundon mesazhin e saj Bregu.
Ilir Shqina ka qenë një emër i njohur në rrethet akademike dhe institucionale, ndërsa për një kohë ka qenë edhe bashkëshort i politikanes Grida Duma, me të cilën ka një djalë. Largimi i tij i papritur ka sjellë reagime të shumta nga ata që kanë punuar me të apo e kanë njohur në rrugëtimin e tij profesional dhe njerëzor.

©️zërionline


