Një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar në përdorim armësh zjarri, duke tronditur komunitetin e vogël të fshatit Gos, në njësinë administrative Lekaj të Rrogozhinës, në një ditë festive siç është Kurban Bajrami.
Ngjarja ndodhi paraditen e së premtes, kur një 56-vjeçar, shtetasi Shpëtim Osma, qëlloi me armë zjarri të tipit pistoletë ndaj dy bashkëfshatarëve të tij, çiftit Sami dhe Nadire Disha, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por me plagë që kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Burime zyrtare nga Policia e Durrësit bëjnë me dije se, në vijim të veprimeve hetimore, shërbimet policore gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e përdorur në krim, të fshehur në një mur pranë vendit të ngjarjes. Më pas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Durrës arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar.
Shkaku i konfliktit, sipas hetimeve paraprake dhe dëshmive të marra në vendngjarje, ka qenë një kasolle e ndërtuar në oborrin e një banese në ndërtim, pronë e Bujar Dishës, vëllai i Sami Dishës që jeton në emigrim, nê Greqi. Çifti i plagosur, Sami dhe Nadire Disha, kishin vendosur në këtë kasolle bagëtinë e tyre. Dyshohet se era dhe zhurma që vinte nga kasollja ka shqetësuar autorin e ngjarjes, fqinj me ta, dhe ka qenë pikërisht ky shkak banal që e ka çuar në përdorimin e armës.

Pas të shtënave, autori është larguar nga vendngjarja, por pas kërkimeve dhe negociatave nga ana e Policisë, ai është dorëzuar vullnetarisht dhe ka pranuar autorësinë e ngjarjes.
Banorë të fshatit dhe familjarë të çiftit të plagosur thonë se nuk kanë pasur më parë konflikte me autorin, por shprehen se ai është i njohur në zonë për përdorim të substancave psikotrope.
Ndaj shtetasit Shpëtim Osma rëndon akuza për “plagosje të rëndë me dashje” dhe “mbajtje pa leje e armëve luftarake”. Materialet procedurale i janë referuar ProkurorisëDurrës për veprime të mëtejshme.
©️zërionline


