Flukset/ Rritet numri i turistëve, por edhe i shqiptarëve që ikin jashtë për punë sezonale dhe pushime

Date:

Share post:

Në Portin e Durrësit, vera ka nisur me lëvizje të dendur, ndërsa masat janë shtuar. Tragete që vijnë dhe largohen, me mijëra pasagjerë që mbërrijnë nga brigjet italiane apo nisen drejt tyre. Në vetëm 6 muajt e parë të këtij viti, përmes këtij porti kanë udhëtuar mbi 241 mijë pasagjerë, një rritje me 6.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Por kush janë më shumë: ata që vijnë për pushime në Shqipëri, apo shqiptarët që zgjedhin të pushojnë jashtë? Statistikat tregojnë se më shumë dalin se hyjnë, por pa ndonjë differencë të madhe. Gjatë janarit deri në qershor, në hyrje janë regjistruar 112,194 pasagjerë, ndërsa në dalje 129,296.

Sipas Autoritetit Portual, ky është një sezon që ka nisur herët dhe pritet të vazhdojë me intensitet të lartë. Ka rritje të vizitorëve, por edhe shumë shqiptarë që zgjedhin të udhëtojnë jashtë.

Vetëm shtetasit e huaj që kanë hyrë në vend përmes portit janë rreth 47 mijë, një rritje me 10% krahasuar me një vit më parë. Ndër ta, mbi 43 mijë janë të rritur dhe afro 4 mijë të mitur.

Në të njëjtën kohë, edhe numri i të huajve që kanë dalë nga vendi ka shënuar rritje, mbi 51 mijë gjithsej, po me një rritje modeste prej 2%.

“Jam nga Libani. Vij për herë të parë. E zgjodha Shqipërinë se kudo thuhet që është vend i bukur dhe i sigurtë”, thotë një vajzë që sapo mbërriti vetëm në portin e Durrësit me një nga tragetet e Barit.

“Ne jemi nga Londra dhe morëm tragetin se ishim në Itali, në Bari. Nga këto pushime pres të relaksohem dhe të shoh vende historike e njoh kulturën e vendit tuaj”, shprehet një çift londinez.

“Vijmë nga Letonia dhe duam të pushojmë duke eksploruar Shqipërinë, kështu grup. Me motora”, thotë një tjetër e huaj që sapo ka mbërritur në port. Kanë zbarkuar në Durrës bashkë me motorrat e tyre, gati për një aventurë të re.

Numri i atyre që mbërrijnë për pushime këto ditë është në rritje, por edhe kërkesa e shqiptarëve për të udhëtuar jashtë, për pushime a tek të afërmit e tyre, qëndron e lartë.

Një pasagjere shqiptare që pret të niset me traget thotë: 

“Po shkoj për pushime në Bari, Amalfi e Portofino. Jemi 4 shoqe, po në gusht do t’i vazhdoj pushimet këtu.”

Të tjerë shqiptarë presin të shkojnë te të afërmit që jetojnë jashtë, kurse të tjerë dhe më shumë janë gra shkojnë për të punuar sezonalisht. Për tre muaj, po kokën e kanë pas. Te fëmijët, familja që lënë pas, por jeta është e vështirë.

Nga Porti i Durrësit, ndër nyjet kryesore të lëvizjes turistike në vend, pas aeroportit të Rinasit, duket se vera e këtij viti do të shënojë një tjetër fluks të pasagjerëve. Pushimet e gushtit janë afër.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Durrësi nuk zbrazet nga turistët as në fund të tetorit, Muzeu i hapur rrit interesin për historinë

Edhe pse tetori po mbyllet, turistët vijojnë të jenë të shumtë në rrugët e Durrësit, duke shijuar qytetin,...

Erjon Vishkulli i plagosur në protestë: “Nuk jam vetëm”

Erjon Vishkulli, i riu që mbeti i plagosur në sy nga një plumb gome gjatë protestave në Tiranë,...

Pasivizimi i adresave në Luginën e Preshevës, shqetësim për të drejtat e shqiptarëve

Pasojat e pasivizimit të adresave në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc mbeten në fokusin e një hulumtimi të publicistit...

Fier/Arrestohet skifteri 30-vjeçar, vodhi në 4 biznese

Policia e Fierit ka arrestuar një 30-vjeçar të shpallur në kërkim, i dyshuar për katër vjedhje me thyerje...