Në kuadër të edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës “Durrës Chamber Fest”, mbrëmja e radhës solli në skenën e shenjtë të kishës Shën Lucia formatin e vlerësuar të Pianotrio-s.
Publiku shijoi një koncert të shkëlqyer me pjesëmarrjen e pianistit të njohur italian Bruno Canino, violinistes Nevila Kalaja dhe violonçelistit Bledar Zajmi. Programi i pasur ndërthurte elegancën dhe pasionin e interpretimit me veprat e mjeshtërve të muzikës klasike botërore.


Pas koncertit, violinistja, ideatorja dhe drejtuesja artistike e festivalit, Nevila Kalaja, u shpreh e emocionuar për këtë edicion të veçantë dhe nënvizoi rëndësinë që ky festival ka për artistët dhe publikun shqiptar. Ajo veçoi dy emra të mëdhenj që i bashkohen këtij edicioni:
“Është privilegj të performosh në një festival që këtë vit mirëpret për herë të parë në Shqipëri Shlomo Mintz, një nga violinistët më të famshëm në botë, si dhe rikthimin e Maestro Bruno Canino, i cili vjen për herë të dytë në Durrës.”

Festivali do të vijojë deri më 21 korrik, duke sjellë në Durrës emra të njohur nga Europa, Amerika, si dhe duke e kthyer qytetin në një qendër të gjallë të muzikës së dhomës, edukimit dhe kulturës klasike ndërkombëtare.
©️zërionline


