I kërkuari jep spektakël për qytetarët e pushuesit në Sarandë, por kapet nga policia.
Operacioni policor i koduar “Diving”, i zhvilluar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Sarandës, ka çuar në pranga tre shtetas të dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe qarkullim me municion luftarak në një automjet luksoz. Mes tyre ndodhej edhe një person në kërkim për vepra të rënda penale.
Policia e Sarandës, në bashkëpunim me forcat e Policisë Kufitare, identifikoi dhe arrestoi shtetasit Endri Doku, Imer Gega dhe Ervis Cukali – ky i fundit u përpoq të arratisej duke u hedhur në det, në një skenë që ngjante me një film aksion.
Ngjarja ndodhi pranë rrugës “Butrinti” në shëtitoren bregdetare, kur Policia ndaloi për kontroll një automjet luksoz tip Porsche Panamera, në të cilin ndodheshin tre të rinjtë. Në momentin e ndalimit, Ervis Cukali zbriti me shpejtësi nga makina dhe u hodh në det, duke marrë me vete një çantë ku më vonë rezultoi se ndodhej arma e zjarrit.
Ndërhyrja e shpejtë e Policisë Kufitare me mjet lundrues bëri të mundur kapjen e tij në ujë dhe nxjerrjen në breg. Ndërkohë, dy shokët e tij, Doku dhe Gega, u neutralizuan menjëherë nga forcat “Shqiponja”.
Gjatë operacionit u sekuestruan një armë zjarri tip pistoletë, 16 fishekë dhe automjeti luksoz me të cilin ata lëviznin.
Policia bën me dije se Ervis Cukali ishte shpallur në kërkim për vepra të rënda penale dhe do t’i nënshtrohet procedurave të mëtejshme hetimore.
Operacioni “Diving” konsiderohet një tjetër goditje ndaj krimeve me armë dhe elementëve të rrezikshëm që tentojnë të fshihen në zonat turistike gjatë sezonit veror. Policia po vijon hetimet për të zbuluar nëse tre të arrestuarit janë të përfshirë në aktivitete të tjera kriminale.
©️zërionline


