Gjurmët shqiptare në Odesa 

Date:

Share post:

Rrugët “Arnautska e Madhe” dhe “Arnautska e Vogël” në qytetin e Odesës, Ukraine, mbajnë një trashëgimi historike që lidhet ngushtë me komunitetin shqiptar ortodoks të vendosur aty në fund të shekullit XVIII. Emri “Arnautska” vjen nga fjala “arnaut”, një term që përdorej në Perandorinë Osmane për të përshkruar shqiptarët, sidomos ata të besimit ortodoks ose ushtarë me reputacion luftarak.

Pas përfundimit të Luftës Ruso-Turke më 1791, një numër i madh popullatash ortodokse u shpërngulën nga territoret osmane drejt Perandorisë Ruse, përfshirë grekë dhe shqiptarë (arnautë). Platon Zubov, një nga themeluesit e Odesës, ngarkoi gjeneralin Jozef de Ribas që të ndërtonte vendbanime për këta të ardhur. Kështu lindi një lagje e re në qytet, e njohur si Sloboda Arnautska, “Vendbanimi i Arnautëve”.

Me kalimin e viteve, kjo zonë u integrua në strukturën urbane të Odesës, dhe rrugët që përshkonin këtë lagje ruajtën emrin e origjinës: Arnautska e Madhe dhe Arnautska e Vogël.

Përse “e Madhe” dhe “e Vogël”?

Sipas traditës gojore, ndarja e këtyre rrugëve ka të bëjë me karakteristikat fizike dhe rolet ushtarake të banorëve arnautë që u vendosën aty. Në Arnautskën e Madhe jetonin arnautët “të gjatë”, zakonisht ish-ushtarakë detarë dhe marinarë, ndërsa në Arnautskën e Vogël banonin “arnautët e shkurtër”, këmbësorë ose kalorës.

Riemërtimet gjatë shekullit XX

Si shumë pjesë të tjera të Odesës, këto rrugë u riemëruan disa herë gjatë regjimit sovjetik:

Arnautska e Madhe në vitet 1920–1930 mori emrin e revolucionarit socialist Hirsh Lekert, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore u quajt rruga Valeri Çkalov, në nder të pilotit të famshëm sovjetik.

Arnautska e Vogël në periudha të ndryshme u njoh si rruga Suvorovska (rreth viteve 1899–1914), dhe më pas si rruga Vorovskit apo Malinovskit. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitet 1990, të dyja rrugëve iu kthyen emrat e tyre historikë, Arnautska e Madhe dhe Arnautska e Vogël.

Sot, këto rrugë janë pjesë e rëndësishme e historisë dhe identitetit multietnik të Odesës. Përveç rëndësisë së tyre si rrugë historike, aty ndodhen edhe ndërtesa me vlera arkitektonike dhe kulturore, përfshirë muzeun e Holokaustit, i cili gjendet pranë Arnautskës së Vogël.

Ky emërtim jo vetëm që nderon të kaluarën e komunitetit shqiptar në Odesa, por gjithashtu dëshmon për bashkëjetesën e kulturave dhe etnive të ndryshme në historinë e këtij qyteti-port ndër më të rëndësishmit në Detin e Zi.

Përshtati: A. Ndoni

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Balluku e pandehur edhe për lotet e tjerë të Unazës së Madhe

Ish zv-kryeministrja Belinda Balluku rikthehet në dyert e SPAK më shumë se 9 muaj pasi u mor e...

Ilir Beqaj del nga burgu, kalon arrest shtëpie

Një nga dosjet më të bujshme të SPAK për abuzim me miliona euro fonde publike, nuk e mban...

Aksidentohet “Cekja” i Beratit, makina e tij përplaset me atë të klerikut bektashian

Një aksident rrugor ka ndodhur në aksin “Gjirokastër-Tepelenë”, në kthesën e fshatit Hormovë. Automjeti që drejtohej nga aktori Sejfulla...

Sherr me sende të forta në Tepelenë, plagosen 3 persona

Një sherr i dhunshëm me sende të forta mes disa personave ka ndodhur pas mesnate në qytetin e...