125 vjet pa Naimin, Durrësi përkujton figurën dhe veprën e tij

Date:

Share post:

Në një atmosferë të ngrohtë artistike, Kulla Veneciane e Durrësit u kthye mbrëmjen e së hënës në një hapësirë reflektimi dhe nderimi për figurën e Naim Frashërit, në 125-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Në mbrëmjen letraro-muzikore, organizuar nga Qendra Kulturore e Durrësit, u sollën për publikun disa nga poezitë më të njohura të rilindasit të madh, përmes interpretimit të aktorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe dy prej emrave më të vlerësuar të skenës shqiptare, Yllka Mujo dhe Ndriçim Xhepa.

Aktorja e njohur Yllka Mujo u shpreh se poezia e Naim Frashërit mbetet një pasuri e shpirtit shqiptar.

“Poezia e Naimit është një thesar që e ndien brenda çdo shqiptari. Të rikthesh në skenë vargjet e tij është si të prekësh rrënjët e identitetit tonë” – tha ajo.

Ndërsa aktori Ndriçim Xhepa theksoi se fuqia e fjalës së Naimit është e përjetshme.

“Naimi është frymëzues, sepse flet me ndjenjë të thellë për dashurinë, për atdheun dhe për njeriun”, – u shpreh ai.

Në mbrëmje u prezantua edhe një skicë portret e Naim Frashërit, realizuar nga drejtoresha e Qendrës Kulturore të Durrësit, piktorja Alketa Tragaj, e cila tha se ngjarja ishte një mënyrë për t’i dhënë formë vizuale mirënjohjes ndaj rilindasit të madh.

“Kjo mbrëmje është një homazh artistik për Naimin, për figurën e tij që vazhdon të frymëzojë breza të tërë”,  tha Tragaj.

Për Prof. Asoc. Dr. Rovena Vata Mikeli, Naim Frashëri mbetet një nga shtyllat themelore të Rilindjes Kombëtare.

“Naimi është themel i identitetit tonë kulturor e gjuhësor. Ai mbolli dashurinë për gjuhën dhe për dijen, duke lënë një trashëgimi që i tejkalon kufijtë e kohës”, theksoi ajo.

Naim Frashëri, që lindi më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit dhe vdiq më 20 tetor 1900, mbetet poeti i zemrës shqiptare.

Veprat e tij si “Fjalët e qiririt”, “Bagëti e bujqësi” dhe “Historia e Skënderbeut” janë dëshmi e përjetshme e shpirtit rilindas dhe dashurisë së tij për atdheun.

Mbrëmja në Kullën Veneciane ishte më shumë se një përkujtim, ishte një rikthim në rrënjët e letërsisë dhe në frymën e Naimit, që vazhdon të jetojë në fjalën dhe kujtesën e çdo shqiptari.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Një mësues humb jetën në rrugën e shkollës dhe harresës

Ai nuk ishte ushtar, por ra në krye të detyrës. Nuk kishte armë, por një çantë me ditarin...

Para pa deklaruar dhe pajisje të dyshimta, në pranga 49-vjeçari në dalje të Portit

Një 49-vjeçar nga Durrësi është arrestuar në flagrancë në Pikën e Kontrollit Kufitar të Portit të Durrësit, pasi...

Ndërtime pa leje në Himarë, Prokuroria e Vlorës dërgon në gjyq 7 persona

Prokuroria e Vlorës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq për shpërdorim detyre 4 ish-zyrtarët e IMT-së Himarë dhe 3 shtetas për...

Përfundimisht 30 vite burg shqiptares që masakroi çiftin Tasho në Itali

41-vjeçarja shqiptare, Elona Kalesha është dënuar me 30 vite burg nga Gjykata e Kasacionit në Itali. Dënimi i...