Në 95-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të dashur për fëmijë, Bedri Dedja, lexuesit u rikthyen te vlerat e veprës së tij me promovimin e librit të ri “Djemtë e luftës”, një botim që sjell në qendër figurën e njohur të Luftës Nacionalçlirimtare, Met Hasën, emrin e të cilit e mban edhe një nga shkollat publike 9-vjeçare të Durrësit.
E bija e autorit, Edlira Dedja, kujtoi se megjithëse i lindur në Korçë, i ati e ka quajtur veten gjithmonë durrsak, pasi origjina e tij ishte nga Durrësi.
“Çdo gjë në krijimtarinë e tij ka rrënjë në qytetin e Durrësit”, u shpreh ajo.

Pas studimeve në Moskë, Bedri Dedja u kthye në Shqipëri dhe, paralelisht me punën akademike e publicistike, vijoi të shkruante për fëmijë duke lëvruar pothuajse çdo gjini të letërsisë për ta.
Libri i parë për Met Hasën titullohej “Met Partizani”. “Meti ka qenë shoku i tij i fëmijërisë, megjithëse pak më i madh në moshë”, tregoi e bija, duke shtuar se vendosën ta ndryshojnë titullin për ta përfshirë historinë e të gjithë fëmijëve që morën pjesë aktivisht në Luftën e Dytë Botërore, pavarësisht brishtësisë së moshës. “Është e rëndësishme të njohim të shkuarën dhe vlerën e paqes”, tha ajo.
Historia e Met Hasës, jetim që u rrit në kushte të vështira pasi familja u shpërngul në Durrës, përshkohet nga guximi i një të mituri që iu bashkua luftës si korrier. Në një nga betejat kundër gjermanëve, 14-vjeçari Met Hasa u përball drejtpërdrejt me mitralozin, duke i vënë gjoksin, një akt heroik që i la të habitur edhe kundërshtarët, të cilët e nderuan luftëtarin e vogël, por të guximshëm.

Libri, i botuar nga shtëpia botuese Albas, vjen i përditësuar me ilustrime dhe një qasje të re për fëmijët e sotëm. Përfaqësueset e Albas vlerësuan vazhdimësinë e interesit për veprën e Bedri Dedjas, autor që prej vitesh konsiderohet gur themeli në letërsinë klasike shqiptare për fëmijë.
“Dedja dallohet për vërtetësinë e ngjarjeve që përcjell. Personazhet e tij udhëtojnë në gjithë territorin e Shqipërisë, madje edhe në Kosovë. Ai sjell bukur botën e brendshme të tyre, falë formimit si psikolog e pedagog”, u shpreh redaktorja e librit, Artemisa Bushi. Bashkëredaktorja Sevi Lami e cilësoi Bedri Dedjan “një kolos të letërsisë për fëmijë”.
Në sallën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, ku u zhvillua aktiviteti në nderim të autorit dhe promovimi i librit, u mblodhën libradashës, nxënës shkollash dhe familjarë të Dedjas. Nxënës të shkollave “Ibrahim Kodra” dhe “Talenti” sollën fragmente dhe mesazhe nga veprat e tij.


“Librat e tij nuk tregojnë vetëm histori lufte, por na kujtojnë sa me fat jemi sot”, tha njëra prej nxënëseve pjesëmarrëse. Mbrëmja letrare u shoqërua nga interpretimet e trios orkestrale të QKF-së dhe u organizua nga Biblioteka Publike e Durrësit në bashkëpunim me QKF-në. Kontribut në organizimin e aktivitetit pati dhe nipi i shkrimtarit, Soren Dedja Njala.



