Shpejtësia e lartë dhe drejtimi i automjetit në gjendje të dehur i morën jetën një 18-vjeçareje në një aksident të rëndë automobilistik, që ndodhi natën e kaluar te Ura e Dajlanit, në Durrës. Një automjet tip BMW X5, që lëvizte në drejtimin Tiranë-Durrës, doli nga rruga dhe ra nga mbikalimi, duke përfunduar poshtë tij, pranë stacionit të autobusit urban.

Viktimë e aksidentit mbeti 18-vjeçarja Vikena Greku, që ishte pasagjere në automjet, ndërsa drejtuesi i mjetit, Arbëri Xhaxhaj, 26 vjeç nga Fieri, u plagos lehtë dhe ka marrë mjekim në spitalin e Durrësit, ku është vënë në masën e arrestit. Dy këmbësorë u lënduan lehtë dhe, pas ndihmës së parë, u larguan në banesë.
Në vendngjarje ndërhynë shërbimet e Policisë Rrugore dhe zjarrfikësit për nxjerrjen e personave nga automjeti, ndërsa grupi hetimor nisi punën për dokumentimin e ngjarjes rrugore dhe rrethanave tw saj. Nga hetimet paraprake rezulton se drejtuesi i mjetit ka qenë në gjendje të dehur dhe po lëvizte me një shpejtësi shumë të lartë, që dyshohet se arrinte deri në 200 kilometra në orë, duke humbur kontrollin e automjetit. Hetimet për ngjarjen vijojnë.


©️zërionline


