Për Botërorin 2026 vjen një ofertë që shumë tifozë do ta quajnë “puna e ëndrrave”: të paguhesh rreth 50 mijë euro vetëm për të ndjekur ndeshjet e futbollit.
Oferta është hapur nga “FOX Sports”, “FOX One” dhe platforma e punësimit “Indeed”, të cilat po kërkojnë një person për rolin e “Chief World Cup Watcher”, ose “Shefi i Shikimit të Kupës së Botës”.
Personi që do të përzgjidhet, do të ketë një vend ekskluziv në Times Square, në zemër të New York-ut, ku nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026 do të ndjekë të gjitha 104 ndeshjet e Botërorit.
Për herë të parë në histori, turneu do të zhvillohet me 48 kombëtare, duke sjellë edhe rritjen e numrit të ndeshjeve.
Detyra kryesore do të jetë të mos humbasë asnjë minutë të kompeticionit dhe të prodhojë përmbajtje multimediale, analiza dhe komente për atmosferën e turneut.
Organizatorët theksojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për një reklamë, po për një pozicion real pune, me kontratë të rregullt dhe pagesë që arrin rreth 50 mijë euro.
Procesi i përzgjedhjes do të jetë rigoroz. Kandidatët duhet të krijojnë një profil profesional në platformën “Indeed” dhe të tregojnë aftësi në gazetari sportive, analizë ndeshjesh dhe krijim përmbajtjeje për rrjetet sociale.
Një video-prezantim do të jetë thelbësor për aplikimin, ku kushdo duhet të shpjegojë pse meriton të bëhet spektatori zyrtar i Botërorit 2026.
©️zërionline


