Një thirrje për të mos harruar. Një homazh për jetët e humbura dhe fatet që mbetën pa përgjigje. Por edhe një reflektim mbi pyetjet që vazhdojnë të shoqërojnë emigrimin edhe sot.
Në 35-vjetorin e eksodit shqiptar, shëtitorja “Taulantia”, te “Rrënjët”, në Durrës u shndërrua në skenën e një ngjarjeje artistike-dokumentare, ku letërsia, teatri, dëshmia dhe kujtesa u bashkuan për të rikthyer një nga dramat më të mëdha të Shqipërisë së pasvitit ’90.

E mbështetur në librin poetik “Hartë memece për të mbyturit” të shkrimtarit durrsak Arian Leka, vënia në skenë me regji të Driada Dervishit solli Aushvicin shqiptar, historitë e atyre që u nisën me gomone drejt brigjeve italiane në kërkim të një jete më të mirë, por që për shumë prej tyre udhëtimi përfundoi pa kthim, pa mbërritje, në fund të detit.

Poezia u shndërrua në dëshmi, kronikë dhe aktakuzë ndaj harresës. Përmes rrëfimeve, dokumenteve, interpretimit skenik dhe muzikës, publiku u përball me një pjesë të historisë së afërt shqiptare, plagët e së cilës vazhdojnë të jenë ende të hapura.
Në qendër të veprës janë pyetjet që vazhdojnë të sfidojnë shoqërinë shqiptare: “Pse ikëm atëherë?”, “Pse vazhdojmë të ikim?”, “Çfarë na largon nga vendi ynë?” dhe “Ikim, apo na dëbojnë?”
Shkrimtari Arian Leka, një nga emrat më të njohur të letërsisë bashkëkohore shqiptare, e riktheu simbolikisht veprën në qytetin e lindjes. Libri, i përkthyer në 12 gjuhë dhe i prezantuar në disa skena teatrore europiane, u kthye aty ku deti nuk është vetëm peizazh, por edhe dëshmitar i mijëra historive të shpresës dhe tragjedisë.


Realizimi i kësaj vënieje në skenë ishte një sfidë e realizuar mjeshtërisht edhe për regjisoren Driada Dervishi, e cila ndërtoi një gjuhë artistike ku ndërthuren poezia, dokumenti, kujtesa dhe interpretimi, ndërsa në kast morën pjesë aktorë, gazetarë, intelektualë, si dhe këngëtarja e vogël durrsake Eslin Kurti, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Junior.


Kjo ngjarje artistike vjen në një kohë kur Mesdheu vazhdon të jetë skenë e dramave të emigracionit. Mes brigjeve të Marokut e Spanjës po përjetohet një tjetër situatë plot dramë e shpresë. Në kërkim të lirisë dhe jetës më të mirë, njerëz nga vende në krizë ndërmarrin udhëtime të rrezikshme drejt brigjeve të Europës, ndërsa deti vazhdon të ndajë shpresën nga tragjedia. Pikërisht për këtë arsye, rrëfimi i eksodit shqiptar dhe dramave në det nuk mbetet vetëm pjesë e së kaluarës, por shndërrohet në një kujtesë universale për koston njerëzore të emigrimit.
E organizuar nga Biblioteka Publike e Durrësit, në bashkëpunim me Klubin e Librit “Gjergj Vlashi”, “Poeteka Albania” dhe “Eja në teatër” mbrëmja nuk solli vetëm një vepër artistike. Ajo ktheu në qendër të vëmendjes kujtesën e atyre që deti i mbuloi me dallgë, por jo me harresë.
V. Q.
©ZëriOnline


