Kriza e parkimit në Durrës është e pranishme gjithnjë e më shumë dy vitet e fundit.
Të gjesh një vendparkim në rrugët e Durrësit prej kohësh është kthyer në një problem të vërtetë ditor. Shtimi i menjëhershëm i numrit të automjeteve, përballë kapaciteteve të kufizuara të infrastrukturës rrugore, ka krijuar një problematikë të mprehtë që prek njëtrajtshëm banorët, bizneset dhe turistët.
Situata është rënduar edhe më tej nga vetëgjyqësia e një pjesë të qytetarëve, të cilët për të siguruar një vend pranë banesave apo bizneseve kanë vendosur barriera të ndryshme, që nga zinxhirët, trarët e deri te topthat e betonit, duke i kthyer hapësirat publike në prona të rezervuara private.

Në këtë kaos, një tjetër ngarkesë e madhe vjen nga “makinat fantazmë”. Mjaft vendparkime anës rrugëve kryesore a dytësore, si dhe brenda hapësirës së blloqeve të pallateve mbeten të bllokuara prej muajsh apo vitesh nga mjetet e vjetra e të dala nga përdorimi. Po ashtu, një pjesë e mirë e hapësirave publike zihen nga subjektet tregtare që japin makina me qira (Car Rental), të cilat përdorin rrugët e qytetit si parqe private mjetesh, duke e bërë gati të pamundur gjetjen e një vendi të lirë për rezidentët.
“Të gjesh parkim këtu është bërë si fat i rënë nga qielli. Rrotullohesh me gjysmë ore nëpër lagje. Dikush ka vënë pengesë hekuri a betoni, dikush kova, dikush lë makinën e prishur me vite aty, ndërsa ata të makinave me qira i rreshtojnë mjetet anës rrugës pa u hyrë gjëmb në këmbë. Ne banorët nuk kemi ku të lëmë mjetet tona”, shprehet një drejtues automjeti në Durrës.
Së fundmi, kjo problematikë e mprehtë është vënë në fokus të Policisë Bashkiake të Durrësit, e cila ka nisur një aksion në terren për lirimin e hapësirave të zëna pa të drejtë. Shqepja e pengesave ilegale dhe pastrimi i hapësirave publike ka nisur në disa lagje të qytetit.
Shefi i Policisë Bashkiake në Durrës, Flamur Gjuzi, bën me dije se ky aksion nuk do të jetë i përkohshëm, por do të vijojë në çdo bllok banimi. Në mbështetje të aksionit është dhe Policia e shtetit.
“Aksioni do të vijojë pa ndërprerje në të gjithë territorin. Paralajmërojmë qytetarët se në rast se barrierat në hapësirat publike do të rivendosen, do të merren masa administrative me gjobë, si dhe do të ketë procedime penale për përsëritësit”, ka deklaruar Gjuzi.
Për drejtuesit e mjetit, çdo hapësirë e liruar nga ky aksion është një frymëmarrje më shumë. Paralelisht me këtë ndërhyrje, Bashkia e Durrësit po punon për nisjen e projektit të parkimit me pagesë në boshtet kryesore rrugore, si dhe për përcaktimin e zonave me parkim të dedikuar e me tarifë lehtësuese për rezidentët.
Lirimi i hapësirave të përbashkëta dhe hyrja në punë e sistemit të ri të parkimeve pritet t’i japë një zgjidhje afatgjatë kaosit në rrugët e qytetit bregdetar.
©ZëriOnline


