Lugina e Shkopetit është përfshirë nga zjarri, ndërsa flakët kanë depërtuar tashmë në zonën e mbrojtur dhe po përparojnë në drejtim të liqenit. Situata paraqitet shqetësuese edhe për banesat përreth, të cilat rrezikohen nga zgjerimi i vazhdueshëm i vatrës.
Zjarri kishte nisur fillimisht në fshatin Lundre, në Njësinë Administrative Ulëz, por gjatë ditës së sotme është përhapur më tej, duke kaluar në luginën e Shkopetit. Flakët kanë përfshirë majën e malit dhe po zbresin gradualisht drejt liqenit.
Terreni i vështirë po pengon operacionin e forcave nga toka, ndërsa mungesa e ndërhyrjes nga ajri e bën edhe më të komplikuar frenimin e përhapjes së zjarrit.
Rreziku nuk kufizohet vetëm në zonën e mbrojtur. Banesat në fshatrat Madhesh dhe Lundre mbeten të kërcënuara, ndërsa në pjesën lindore flakët po afrohen edhe drejt fshatrave të Njësisë Administrative Baz.
Perimetri i zjarrit ka arritur në disa kilometra dhe dëmet e shkaktuara deri tani janë të konsiderueshme. Raportohet se disa banesa dhe stane, të përdorura nga banorët gjatë verës për mbajtjen e bagëtive, janë djegur.
Situata në Shkopet vjen në një periudhë të vështirë sa i përket zjarreve në vend. Ditët e fundit vatra problematike janë regjistruar në disa qarqe, ndërsa situata ka qenë veçanërisht e rënduar edhe në jug, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe me bimësi dhe zona pyjore.
Vatra zjarri janë raportuar gjithashtu në Fier dhe Elbasan. Në pyllin e Semanit, flakët kanë avancuar drejt masivit me pisha, të favorizuara nga era e fortë, ndërsa në Kodër Krastë të Elbasanit zjarri iu afrua banesave. Në këtë të fundit, ndërhyrja e zjarrfikësve bëri të mundur izolimin e flakëve dhe shmangien e dëmtimit të dy banesave që rrezikoheshin drejtpërdrejt.
©ZëriOnline


