Një zjarr ka përfshirë në orët e para të mëngjesit të sotëm zonën e Syrit të Kaltër, në bashkinë Finiq, duke shkaktuar dëme materiale.
Ngjarja është shënuar rreth orës 00:05 të datës 6 shtator, në hyrje të Syrit të Kaltër, ku si pasojë e flakëve janë djegur 4 kioska tregtimi private.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur 3 mjete zjarrfikëse, si dhe 2 mjete policie së bashku me forcat policore, të cilat kanë nisur ndërhyrjen për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Për rreth dy orë zjarrfikësit kanë luftuar me flakët, ndërsa rreth orës 02:00 është bërë e mundur shuarja e plotë e zjarrit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një masë elektrike. Autoritetet vijojnë verifikimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe shkakun përfundimtar të zjarrit.
Nga zjarri nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet e shkaktuara janë materiale.
©ZëriOnline


