Një megaoperacion antidrogë është zhvilluar mbrëmjen e sotme në Sarandë, duke çuar në arrestimin e disa personave të dyshuar për përfshirje në shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Sipas burimeve, mes personave të arrestuar dyshohet se janë edhe drejtues të grupeve që kontrollonin shpërndarjen e drogës në zonë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi kokaine dhe kanabisi, si dhe armë. Deri në këto momente nuk janë bërë të ditura sasitë e lëndëve narkotike të sekuestruara apo numri i plotë dhe identitetet e personave të arrestuar.
Operacioni është zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë dhe vjen pas hetimeve lidhur me shpërndarjen e lëndëve narkotike, fenomen që ishte kthyer në shqetësim në qytetin bregdetar.
Pritet që Policia të japë në vijim informacionin zyrtar mbi rezultatet e plota të operacionit, personat e arrestuar dhe materialet e sekuestruara.
©ZëriOnline


