Vetëm 37 vjeç, biznesmeni kamboxhian me origjinë kineze Chen Zhi akuzohet se është “truri pas një perandorie të gjerë mashtrimesh online… një ndërmarrje kriminale e ngritur mbi vuajtjen njerëzore”, shkruan BBC.
Me një mjekër të rrallë dhe pamjen e tij të re, ai duket edhe më i ri se mosha reale. Por pas këtij portreti të qetë, fshihet një pasuri marramendëse e krijuar në kohë rekord.
Javën e kaluar, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ngriti akuza ndaj tij për menaxhimin e komplekseve të mashtrimeve kibernetike në Kamboxhia, të cilat kishin zhdukur miliarda dollarë në kriptomonedha nga viktima në mbarë botën. Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi sekuestrimin e rreth 14 miliardë dollarëve në Bitcoin, shuma më e madhe e konfiskuar ndonjëherë në këtë sektor.
Një perandori biznesi e ndërtuar me shpejtësi marramendëse
Chen Zhi krijoi Prince Group në vitin 2015, duke u fokusuar në zhvillimin e pasurive të paluajtshme, vetëm 27 vjeç. Në vitin 2018 mori licencën bankare për të themeluar Prince Bank, ndërsa përmes investimeve prej të paktën 2.5 milionë dollarësh, siguroi edhe pasaportë të Qipros, duke fituar hyrje të lirë në BE. Më vonë mori edhe shtetësinë e Vanuatut.

Ai nisi kompaninë e tretë ajrore në Kamboxhia dhe kishte plane edhe për një të katërt. Ndërtoi qendra tregtare luksoze në Phnom Penh, hotele madhështore në Sihanoukville dhe projektoi një “eko-qytet” prej 16 miliardë dollarësh të quajtur “Bay of Lights”.
Në vitin 2020, mbreti i Kamboxhias e dekoroi me titullin më të lartë “Neak Oknha”, që kërkon një kontribut prej të paktën 500 mijë dollarësh për shtetin.
Chen Zhi u paraqit si filantrop, duke financuar bursa për studentë dhe duke dhuruar shuma të mëdha gjatë pandemisë së Covid-19. Por ai vetë qëndronte larg vëmendjes publike, pothuajse pa dhënë deklarata.
Nga pasuritë e luksit te akuzat për krime transnacionale
Pavarësisht se në vitin 2019 tregu i pasurive të paluajtshme në Sihanoukville u rrëzua pas ndalimit të lojërave të fatit online, Chen Zhi vazhdoi të zgjerohej pa kufij.
Autoritetet britanike deklarojnë se ai bleu një vilë prej 12 milionë paundësh në Londër dhe një godinë biznesi prej 95 milionë paundësh në City. SHBA-ja pretendon se ai investoi në prona në New York, avione privatë, jahta superluksoze dhe madje edhe në një pikturë të Picassos.
Sipas SHBA dhe Britanisë, burimi i vërtetë i pasurisë së tij ishte mashtrimi industrial kibernetik, i shoqëruar me trafikim njerëzor, pastrim parash, sekstortion dhe aktivitete të tjera kriminale.
Janë vendosur sanksione ndaj 128 kompanive dhe 17 individëve nga shtatë shtete të ndryshme, të lidhur me Prince Group. Pasuritë e tyre në SHBA dhe MB janë ngrirë. Dokumentet gjyqësore përmendin “ferma telefonike” ku punonjës të skllavëruar detyroheshin të mashtronin njerëz anembanë botës.
“Perandoria e mashtrimit”
Hetimet zbuluan struktura të ngjashme me kampe pune, si kompleksi **Golden Fortune** pranë kufirit me Vietnamin, ku punëtorë nga Kina, Vietnami dhe Malajzia raportohet se rriheshin barbarisht nëse tentonin të arratiseshin.
Gazetari Jack Adamovic Davies, i cili e hetoi Chen Zhin për tre vjet për Radio Free Asia, thotë për BBC se shkalla e operacioneve të tij është tronditëse:
“Ajo që duhet të na shqetësojë është se ai nuk duhej të kishte mundur të blinte gjithë këto pasuri në Singapor, Londër apo SHBA. Avokatët, kontabilistët, bankierët, të gjithë duhej të kishin thënë: ‘Diçka nuk shkon’. Por nuk e bënë.”
Panik në Kamboxhia, heshtje nga autoritetet
Bankat e huaja, si në Korenë e Jugut, kanë ngrirë miliona dollarë të Prince Bank. Bizneset në Singapor dhe Tajlandë po hetohen. Ndërkohë, Banka Qendrore e Kamboxhias kërkon t’u sigurojë klientëve se depozitat e tyre janë të sigurta.
Qeveria kamboxhiane ka folur pak, duke kërkuar vetëm që akuzat e SHBA-së dhe Britanisë të mbështeten me prova të forta. Por lidhjet e ngushta të elitës politike me Chen Zhin e bëjnë këtë situatë shumë të vështirë.
Zhdukja e njeriut që dukej i paprekshëm
Që nga njoftimi i sanksioneve, Chen Zhi është zhdukur pa gjurmë. Mediat spekulojnë se ai mund të jetë arratisur ose të jetë fshehur nën mbrojtjen e të fuqishmëve me të cilët kishte lidhje.
Nga një nga njerëzit më të pushtetshëm në Kamboxhia, ai tani po përshkruhet si kreu i një prej perandorive më të mëdha kriminale digjitale në Azi, një histori që, sipas BBC, sapo ka filluar të zbardhet.
©️zërionline


