Çmimet nuk ndalen, Inflacioni arrin në 3%, rekord i dy viteve të fundit

Date:

Share post:

Rritja e kostos së jetesës në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e dukshme dhe tashmë reflektohet qartë edhe në të dhënat zyrtare të INSTAT. Pas disa muajsh rritjeje graduale, inflacioni arriti në 3% gjatë muajit maj, niveli më i lartë i regjistruar në dy vitet e fundit.

Ky nivel përkon me objektivin e Bankës së Shqipërisë, e cila prej vitesh e konsideron normën 3% si treguesin që garanton stabilitetin e çmimeve në ekonomi.

Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni u rrit nga 2.7% në prill në 3% në maj, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishte vetëm 2.2%. Në këtë ecuri kanë ndikuar disa faktorë, që nga tensionet gjeopolitike në tregjet ndërkombëtare deri te intensifikimi i sezonit turistik, i cili po ushtron presion të shtuar mbi çmimet.

Kontributin më të madh në rritjen e inflacionit e kanë dhënë kostot e strehimit dhe qiratë, me një ndikim prej 0.84% në total. Kërkesa e lartë për apartamente me qira afatshkurtër nga turistët ka sjellë rritje të çmimeve edhe për familjet shqiptare që jetojnë me qira. Në vend të dytë renditen ushqimet, me një ndikim prej 0.76%, ndërsa transporti kontribuoi me 0.51%, kryesisht si rezultat i shtrenjtimit të karburanteve të lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Në analizën vjetore, transporti rezulton grupi me rritjen më të madhe të çmimeve, me 7.8%. Pas tij vijnë sigurimet dhe shërbimet financiare me 4.9%, ndërsa qiratë, energjia dhe karburantet janë shtrenjtuar me 4.2%. Rritje kanë shënuar edhe shërbimet e restoranteve dhe akomodimit, duke reflektuar efektet e sezonit turistik dhe kërkesën në rritje.

Për momentin, inflacioni pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë nuk përbën arsye për ndryshim të politikës monetare. Megjithatë, nëse presionet mbi çmimet vazhdojnë dhe inflacioni tejkalon objektivin e synuar, mund të lindë nevoja për rishikimin e normave të interesit.

Për qytetarët, rritja e inflacionit përkthehet në kosto më të larta për të njëjtat mallra dhe shërbime. Pyetja kryesore mbetet nëse ky presion mbi çmimet do të jetë i përkohshëm apo do të vijojë edhe gjatë muajve të verës, kur fluksi i turistëve pritet të arrijë pikën kulmore.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Flakët djegin magazinën me fishekzjarre e lodra plastike në Durrës, dy zjarrfikës përfundojnë në spital nga asfiksia

Para se flakët të viheshin nën kontroll, një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu pasditen e së enjtes...

Zjarr i madh në Belsh, temperaturat e larta favorizojnë flakët; rrezikohen banesat

Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e sotme disa zona të bashkisë së Belshit, duke krijuar një...

Pastronte paratë e kokainës, gjykata greke i hap rrugë ekstradimit të Ilir Shtufit në Shqipëri

Biznesmeni Ilir Shtufi do të ekstradohet drejt Shqipërisë, pasi Gjykata e Apelit të Selanikut vendosi në favor të...

Dhunoi 2-vjeçarin, arrestohet edukatorja në Tiranë

Një edukatore në një kopsht privat në Tiranë është arrestuar, pasi ka dhunuar një të mitur. Në praga...